Tiranë, 18 gusht, Zhurnal.mk – Rreth 2 mijë hektarë tokë bujqësore në Vrinë të Sarandës po përfitojnë mbrojtje më të mirë nga përmbytjet, erozioni dhe depërtimi i ujërave të kripura, falë ndërhyrjeve në rehabilitimin e argjinaturës së kanalit K-17 dhe sistemit të ujitjes e kullimit.
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, inspektoi investimin në zonën e Vrinës, ku faza e parë e rehabilitimit të argjinaturës ka përfunduar me përforcimin e rreth 1,3 kilometrave të saj.
“Faza e parë e investimit ka përfunduar me sukses dhe sipas standardeve më të mira. Problematika e mëparshme ka qenë hyrja e ujit të detit në hidrovorin e Vrinës dhe rrezikoheshin tokat e kësaj zone nga përmbytjet”, deklaroi Salla.
Sipas ministrit, paketa e investimeve në këtë zonë arrin në rreth 20 milionë euro dhe synon mbrojtjen e tokave bujqësore, përmirësimin e vaditjes dhe kullimit, si dhe rritjen e sigurisë për prodhimin bujqësor.
“Vijimi i ndërhyrjeve me fazën e dytë të rehabilitimit të argjinaturës së kanalit K-17 në Vrinë, si pjesë e një pakete të integruar investimesh që përfshin edhe modernizimin e sistemit të ujitjes dhe kullimit, do të garantojë mbrojtjen afatgjatë të tokave bujqësore dhe më shumë siguri për prodhimin, ekonominë lokale dhe zhvillimin e qëndrueshëm të gjithë zonës”, u shpreh Salla.
Ministri theksoi se investimi pritet të krijojë gjithashtu kushte më të mira për zhvillimin e aktivitetit të kultivimit të midhjeve, duke ndikuar në ekonominë lokale dhe perspektivën e produkteve shqiptare për tregjet europiane.
“Pas 17 vitesh do të hapim krahët për midhjen dhe midhja do të na ndihmojë për ekonominë e vendit”, tha Salla, duke shtuar se ndërhyrja për ndarjen e ujërave lidhet edhe me zhvillimin e turizmit dhe rritjen e prodhimit bujqësor në zonë.
Salla nënvizoi se investimet në infrastrukturën e ujitjes dhe kullimit do të vijojnë me prioritet edhe në zona të tjera të vendit, me qëllim parandalimin e përmbytjeve dhe përmirësimin e sistemeve të kullimit.
“Po bëjmë një paketë investimesh aty ku kemi nevojë dhe ku duhet, në të gjithë Shqipërinë, ku përfshihen edhe hidrovoret, për t’u paraprirë përmbytjeve dhe sistemeve të kullimit”, deklaroi ministri.
