Prishtinë, 19 gusht, Zhurnal.mk – Zyrtarë doganorë të Zyrës Doganore Kufitare ‘Karasoviqi’ kanë njoftuar se kanë parandaluar një rast të futjes së paligjshme në Kroaci të 43 orëve të dorës nga një shtetas i Kosovës.
Në njoftim bëhet e ditur se rasti ka ndodhur më 7 gusht 2026, ndërkaq lajmi është bërë publik nga Dogana kroate javën e kaluar.
“Gjatë zbatimit të masave të shtuara të kontrollit doganor në trafikun e udhëtarëve, në hyrje të territorit doganor të Bashkimit Evropian u kontrollua një automjet me targa kroate, të cilin e drejtonte një shtetas i Republikës së Kosovës me qëndrim në Republikën e Kroacisë.
Gjatë kontrollit të automjetit, në një valixhe udhëtimi në sediljen e pasme u gjetën 43 orë dore të padeklaruara, të markave të ndryshme”, thuhet në njoftim.
Tutje bëhet e ditur se drejtuesit të automjetit iu lëshua një urdhër kundërvajtës dhe iu shqiptua gjobë në shumën prej 6.000 eurosh.
Gjithashtu, u shqiptua edhe masa mbrojtëse e sekuestrimit të mallrave.
