Boçi: Projekti i PD për reformën territoriale me 100 bashki, ruhet identiteti i komuniteteve

Nga D. V.
1,013 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 19 gusht, Zhurnal.mk – Bashkëkryetari i Komisionit për Reformën Administrativo-Territoriale, Luçiano Boçi, kundërshtoi draftin e propozuar nga Partia Socialiste për 46 bashki, duke argumentuar se bashkitë më të mëdha do të rrisin distancën mes qytetarit dhe pushtetit vendor.

Sipas tij, propozimi i PS për ta çuar Shqipërinë në vetëm 46 bashki e largon edhe më shumë pushtetin vendor nga qytetari.

“Bashkitë bëhen më të mëdha, qendrat administrative më të largëta dhe vendimmarrja përqendrohet gjithnjë e më tepër.

“Me 46 bashki krijohen më shumë periferi dhe më pak qendra. Kjo është dobësia kryesore e këtij propozimi. Shqipëria nuk ka nevojë për bashki gjithnjë e më të mëdha. Ka nevojë për bashki që funksionojnë”, tha Boçi.

Boçi tha se nëse bashkon dy bashki të dobëta, nuk krijon automatikisht një bashki të fortë.

“Në këtë kontekst është absurde të bashkosh Tepelenën me Memaliajn, Fushë-Arrëzin me Pukën apo Librazhdin me Përrenjasin. Po aq absurde është që një bashki me performancë më të mirë të përthithet nga një bashki me performancë më të dobët. Dimali ka performancë më të mirë se Berati, Selenica se Vlora, Patosi se Fieri. Po kështu edhe Maliqi”, tha ai.

Sipas Boçit, projekti i PD-së për rreth 100 bashki synon të afrojë vendimmarrjen, të ruajë identitetin e komuniteteve dhe të përmirësojë shërbimet lokale. Ai theksoi se reforma nuk duhet të matet me numrin e bashkive, por me atë se sa mirë dhe sa pranë qytetarit ofrohen shërbimet.

Boçi tha se projekti i PD ndërthur vullnetin e qytetarëve me domosdoshmërinë e një pushteti vendor efikas.

“Afron vendimmarrjen me komunitetin dhe u jep zë interesave lokale; Rrit llogaridhënien e drejtuesve vendorë; Shkurton distancat fizike dhe administrative për marrjen e shërbimeve; U mundëson administratave të njohin më mirë nevojat e territorit; Ruan identitetin dhe kohezionin e komuniteteve; Nxit konkurrencën pozitive për investime dhe projekte zhvillimi; Përmirëson planifikimin sipas karakteristikave ekonomike, sociale dhe gjeografike të çdo zone; Mundëson reagim më të shpejtë në raste emergjencash; Shpërndan zhvillimin ekonomik përtej qendrave të mëdha urbane. Rrit pjesëmarrjen qytetare dhe besimin tek institucionet”, tha Boçi.

Sipas tij bashkia duhet të shkojë te qytetari.

“Në këtë kuptim, një ndarje me rreth 100 bashki nuk është zgjedhje numerike. Është zgjedhje demokratike”, tha ai.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër