Muçollari: Tirana po digjet e mbytet në plehra, miliardat derdhen në beton

Nga D. V.
877 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 19 gusht, Zhurnal.mk – Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike, Grigels Muçollari, tha sot se Tirana po përballet me probleme të shumta në furnizimin me ujë, menaxhimin e mbetjeve dhe situatën e zjarreve.

Sipas tij, në disa zona të kryeqytetit ka pasur probleme me furnizimin me ujë, ndërsa në Kombinat janë denoncuar raste ku furnizimi ka zgjatur vetëm rreth 20 minuta në ditë.

Muçollari ngriti gjithashtu edhe shqetësimin për menaxhimin e mbetjeve, teksa shtoi se kazanët janë të tejmbushur dhe mbeturinat kanë përfunduar në rrugë. Muçollari kritikoi edhe reagimin e autoriteteve ndaj zjarreve në zonat me pyje në periferi të Tiranës.

Në deklaratën e tij, Muçollari iu referua edhe të ardhurave nga sektori i ndërtimit ku tha se gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026 janë mbledhur rreth 1.6 miliardë euro taksa nga ndërtimi.

“Ku shkojnë gjithë këto taksa? Se shkolla të reja nuk kemi, ndërkohë që pritet të nisë viti i ri me të njëjtën praktikë me klasa me shumë nxënës e mësim me 2 turne. As përmirësim në furnizim me ujë nuk ka. As qytet më të pastër”, tha ai.

Më tej, ai iu referua të dhënave të Open Data Albania për gjashtëmujorin e parë të vitit 2026, sipas të cilave Bashkia e Tiranës kryeson me rreth 1.8 miliardë lekë fond limit në tendera të kategorizuar me “Red Flag”, një indikator që lidhet me riskun e korrupsionit.

“Ky qytet i pabanueshëm, pa ujë të rrjedhshëm, me mbeturina rrugëve, dhe me zjarre në periferi, vijon pra t’u shërbejë vetëm klientëve të qeverisë, e jo qytetarëve”, tha ai.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër