Macron firmos ligjin për vdekjen e asistuar

Nga D. V.
563 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Paris, 19 gusht, Zhurnal.mk – Presidenti francez Emmanuel Macron firmosi sot ligjin për vdekjen e asistuar, pasi Gjykata Kushtetuese e kishte konfirmuar javën e kaluar, duke i hapur rrugën Francës për t’iu bashkuar vendeve që e kanë legalizuar këtë praktikë, sipas “EUronews”.

Zyra e presidentit Macron e cilësoi vendimin e Gjykatës Kushtetuese si përfundimin e një “debati demokratik shembullor” dhe tha se ligji ofron “një garanci thelbësore” për qytetarët.

Legjislacioni, i miratuar nga Parlamenti francez në korrik pas vitesh debatesh, u jep të drejtën për vdekje të asistuar disa të rriturve që vuajnë nga sëmundje të pashërueshme.

Me hyrjen në fuqi të ligjit, Franca do t’i bashkohet Holandës, Belgjikës, Zvicrës dhe Kanadasë, ku praktika është tashmë e legalizuar.

Ligji ishte një nga reformat kryesore sociale të mandatit të dytë të Macron dhe përbën një fitore politike për presidentin francez, i cili e kishte premtuar këtë reformë pas rizgjedhjes në vitin 2022.

Megjithatë, Gjykata Kushtetuese kërkoi sqarime për disa dispozita, përfshirë të ashtuquajturën “klauzolë të ndërgjegjes”, e cila u lejon profesionistëve të shëndetësisë të refuzojnë pjesëmarrjen në procedurë.

Kjo klauzolë do të zbatohet edhe për institucionet private shëndetësore ku vdekja e asistuar është “dukshëm në kundërshtim” me misionin e tyre, për sa kohë që ato nuk janë të vetmet institucione që mund të mbulojnë nevojat e zonës. Ky ishte një nga kërkesat kryesore të institucioneve shëndetësore katolike.

Për të përfituar nga ligji, pacienti duhet të jetë madhor dhe të jetë shtetas francez ose rezident afatgjatë në Francë.

Ai duhet të vuajë nga dhimbje që nuk i përgjigjen trajtimit ose që, sipas vlerësimit të tij, janë të padurueshme në rast se ka zgjedhur të mos marrë ose të ndërpresë trajtimin.

Një mjek do të jetë përgjegjës për verifikimin fillestar të kritereve të pacientit. Më pas, një panel do të vlerësojë nëse kushtet ligjore janë përmbushur.

Vendimin përfundimtar e merr mjeku, ndërsa pacienti ka të drejtë të tërheqë pëlqimin në çdo moment.

Sipas ligjit, substanca vdekjeprurëse do të administrohet nga vetë pacienti, me përjashtime për personat që nuk janë fizikisht në gjendje ta kryejnë vetë procedurën.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër