Koreja e Jugut mbështet përpjekjet e Trumpit për dialog me Korenë e Veriut

Nga D V
502 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Suel, 20 gusht, Zhurnal.mk – Koreja e Jugut ka shprehur publikisht mbështetjen për përpjekjet e presidentit amerikan Donald Trump për të hapur dialog me liderin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un, përfshirë nismën e tij për të reduktuar manovrat e përbashkëta ushtarake mes Seulit dhe Uashingtonit.

Presidenti i Koresë së Jugut, Lee Jae Myung, deklaroi në platformën X se vendi i tij mbështet përpjekjet e presientit Trump për të krijuar kushtet e nevojshme për dialog dhe vendosjen e një regjimi paqeje në Gadishullin Korean, edhe nëse kjo nënkupton reduktimin e stërvitjeve ushtarake me Shtetet e Bashkuara.

Lee tha gjithashtu se e mbështet plotësisht qëndrimin e Trump se Koreja e Jugut duhet të marrë më shumë përgjegjësi për sigurinë në Gadishullin Korean.

Rreth 28 500 trupa amerikane janë të dislokuara në Korenë e Jugut.

Që prej Luftës së Koresë, e cila zgjati nga viti 1950 deri në vitin 1953, Seuli është mbështetur fuqishëm te prania ushtarake amerikane për të parandaluar kërcënimet e jashtme.

Presidenti Trump deklaroi gjatë fundjavës se do të reduktonte ndjeshëm stërvitjet ushtarake të përbashkëta me Korenë e Jugut, duke iu referuar marrëdhënies së tij “shumë të mirë” me Kim Jong Un.

Sipas presidentit amerikan, stërvitjet dërgonin një sinjal “të papërshtatshëm dhe armiqësor” ndaj Koresë së Veriut.

Stërvitja e përbashkët “Ulchi Freedom Shield”, e cila nisi të hënën, do të zgjasë vetëm gjysmën e kohës së planifikuar fillimisht dhe do të përfundojë të premten.

Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Koresë së Jugut tha se vendimi për shkurtimin e saj u mor me kërkesë të palës amerikane.

Mediat koreano-jugore raportuan se kjo ishte hera e parë që kjo stërvitje e madhe vjetore shkurtohej në këtë mënyrë.

Ministri i Jashtëm i Koresë së Jugut, Cho Hyun, tha se qeveria e tij nuk ishte informuar paraprakisht për vendimin përpara se Trump ta publikonte atë në rrjetet sociale.

Koreja e Veriut ka kritikuar ashpër stërvitjet ushtarake. Kim Yo Jong, motra e liderit Kim Jong Un, deklaroi dje, sipas agjencisë shtetërore KCNA, se reduktimi i përmasave dhe kohëzgjatjes së stërvitjeve nuk ndryshonte karakterin e tyre “provokues dhe ofensiv”.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër