Tiranë, 21 gusht, Zhurnal.mk – Nisin sot në Itali Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”, ku Shqipëria përfaqësohet me një delegacion prej 72 sportistësh, më i madhi në historinë e pjesëmarrjeve shqiptare në këtë aktivitet ndërkombëtar.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, përmes një postimi në rrjetet sociale, uroi përfaqësuesit kuqezi në nisjen e garave.
Delegacioni shqiptar bashkon sportistë me përvojë në arenën ndërkombëtare dhe talente të rinj, të cilët do të garojnë në disiplinat përkatëse me synimin për të përfaqësuar denjësisht Shqipërinë.
“Një skuadër e bashkuar me një objektiv të përbashkët: të përfaqësojë denjësisht ngjyrat kuqezi dhe të shkruajë një tjetër kapitull në historinë e sportit shqiptar”, u shpreh Gonxhja.
Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026” mbledhin në Itali sportistë nga vendet e rajonit mesdhetar, ndërsa Shqipëria synon të jetë protagoniste me përfaqësimin e saj më të madh në historinë e këtij kompeticioni.
