Strehim social për çiftet dhe familjet e reja! Zv.kryeministrja Koçiu prezanton planin “Shqipëria Sociale”, ja për çfarë bëhet fjalë

Nga Xh M
797 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 26 gusht Zhurnal.mk – Zv.kryeministrja Albana Koçiu ka prezantuar prioritetin e ri të qeverisë për sezonin politik, me fokus te përmirësimi i cilësisë së jetës së qytetarëve. “Shqipëria Sociale” do të nisë këtë vjeshtë me programin e ri të strehimit për çiftet dhe familjet e reja.

Në nisje të sezonit të ri politik, qeveria do të vendosë në qendër të vëmendjes “Shqipërinë Sociale”, me synimin që zhvillimi ekonomik i vendit të përkthehet në më shumë mundësi, politika sociale dhe mirëqenie për qytetarët. Sipas Koçiut, prioritet do të jetë rritja e cilësisë në arsim dhe shëndetësi, mbështetjen për familjet e reja, fermerët, pensionistët dhe biznesin e vogël.

“Shqipëria ka hyrë në një fazë të re zhvillimi, ku objektivi nuk është më vetëm ndërtimi apo ofrimi i shërbimeve, por që përmirësimi të ndihet drejtpërdrejt në jetën e përditshme të çdo familjeje. Sfida jonë është që çdo familje ta ndiejë përmirësimin në jetën e saj të përditshme”– deklaroi zvëndëskryeministrja Albana Koçiu.

Një tjetër fokus do të jetë krijimi i më shumë mundësive për të rinjtë që duan të ndërtojnë të ardhmen e tyre në Shqipëri. Sipas zv.kryeministres, procesi i integrimit europian duhet të shoqërohet me përmirësime konkrete në jetën e qytetarëve.

“Standardi europian nuk duhet të mbetet vetëm një objektiv në letër. Ai duhet të ndihet në çdo shërbim, në çdo komunitet dhe në jetën e çdo qytetari”, u shpreh ajo.

Hapi i parë konkret i kësaj qasjeje do të nisë këtë vjeshtë, me programin e ri të strehimit për çiftet dhe familjet e reja, duke e vendosur strehimin si një nga ndërhyrjet e para në kuadër të “Shqipërisë Sociale”. Qeveria synon përmes kësaj qasjeje që rritja dhe zhvillimi i vendit të përkthehen në më shumë mundësi dhe siguri për qytetarët, me familjen, të rinjtë dhe mirëqenien sociale në qendër të politikave të reja.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër