Detaje të reja nga vrasja që tronditi Prizrenin | Videoincizimet çojnë te i mituri i dytë – 15-vjeçari kapet dhe ndalohet për “Sulm”

Nga Xh M
769 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prizren, 29 gusht Zhurnal.mk – Hetimet për vrasjen tragjike të një 15-vjeçari në Prizren janë zgjeruar. Pas arrestimit të 17-vjeçarit që dyshohet për vrasjen, Policia ka identifikuar dhe ndaluar edhe një të mitur tjetër, raporton Sinjali.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se zhvillimi i ri ka ardhur pas një pune intensive të hetuesve rajonalë dhe sigurimit të disa videoincizimeve që lidhen me rastin.

Nga analizimi i tyre, hetuesit kanë arritur të identifikojnë S.D., 15-vjeçar, i cili tashmë po trajtohet si i dyshuar për veprën penale “Sulmi”.

I mituri është intervistuar në praninë e prindit dhe avokatit mbrojtës të caktuar sipas detyrës zyrtare. Atij i është ofruar edhe trajtim mjekësor në spital.

Pas procedurave policore, Prokurori i rastit ka urdhëruar që 15-vjeçari të ndalohet për 24 orë.

Ky është personi i dytë që përfundon në ndalim në kuadër të hetimeve për ngjarjen tragjike të 27 gushtit në rrugën “Shotë Galica” në Prizren.

Çfarë ndodhi natën e vrasjes?

Rasti ishte raportuar rreth orës 23:40 si një therje me thikë.

Kur Policia mbërriti në vendngjarje, ekipi i Urgjencës po i jepte ndihmën e parë Omer Purovës, i cili më pas u transportua me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Prizrenit.

Gjendja e tij ishte e rëndë dhe, pavarësisht përpjekjeve të personelit mjekësor, 15-vjeçari nuk arriti t’u mbijetojë plagëve.

Pak më larg nga vendi ku kishte ndodhur incidenti, Policia kishte hasur E.H., 17-vjeçar, i cili u arrestua si i dyshuar për rastin.

Gjatë kontrollit, policët i gjetën një thikë në xhep, e cila dyshohet se është përdorur në kryerjen e veprës. Ajo u sekuestrua si provë materiale.

17-vjeçari më pas u shoqërua në zyrat e Hetimeve Rajonale në Prizren së bashku me babain e tij. Atij iu siguruan avokat sipas detyrës zyrtare dhe punëtor social.

Në konsultim me mbrojtësin, i mituri u mbrojt në heshtje, ndërsa me urdhër të Prokurorit u ndalua për 24 orë.

Trupi i pajetë i 15-vjeçarit është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për ekzaminim, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të vrasjes po vazhdojnë.

Tashmë, me identifikimin e të miturit të dytë, rasti po hetohet për “Vrasje”, “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës” dhe “Sulm”.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër