Shpronësimi s’është mbyllur për autostradën Shkup – Bllacë, puna nis në terrenet e lira

Nga Xh M
1,027 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 30 gusht Zhurnal.mk – Pas më shumë se dy dekadash pritje, autostrada Shkup–Bllacë tashmë po hyn në fazën e realizimit të plotë. Më 26 gusht ka nisur zyrtarisht ndërtimi i segmentit të dytë, me gjatësi prej rreth 10.5 km, i cili do të lidhet me rreth 2 km autostradë të ndërtuara më herët pranë pikës kufitare Bllacë. Në total, lidhja nga kufiri deri te nyja e Stenkovecit do të jetë rreth 12 kilometra, por që shpronësimi i tokave private mbetet një problem i vazhdueshëm sikurse në segmentin e parë që shumë pronarë ishin në konteste gjyqësore.

“E dimë që shpronësimi paraqet problem sepse mund të pengoj realizimin e punimeve, por siç përmendi edhe drejtori Ndërmarrjes Publike ‘Rrugët Shtetërore’, më shumë se 60% e shpronësimeve është kryer kështu që kemi një teren njëherë të hapur, ku mund të punojmë dhe nuk do të paraqitet asnjë problem, pasi që derisa ne punojmë edhe faza tjetër e shpronësimeve do të kryhet”, tha Kaltrina Zekolli – zëvendësministre e Transportit.

Nga Ndërmarrja Publike “Rrugët Shtetërore” thonë se prej buxhetit të 222 milionë eurove të parapara për segmentin e dytë prej 10,5 km, rreth 20 milionë euro janë ndarë vetëm çështjen e shpronësimeve.

Për aksin e ri që nis direkt me urë aty ku përfundon segmenti i pare e deri te nyja e Stenkovecit janë të evidentuara 213 parcela kadastrale, me sipërfaqe totale 39.909m², sipas elaboratit gjeodezik të 2023-ës që ishte kërkuar në fazën e studimit të fizibilitetit për vlerësimin e trojeve, tokave bujqësore, pyjeve dhe objekteve. Puna ndërtimore do të zhvillohet paralelisht me përmbylljen e procedurave të shpronësimit, ndërsa çështja e parcelave private të zgjidhet në periudhën e parë të realizimit të projektit, tha drejtori i Drejtor i N.P. “Rrugët Shtetërore” Koce Trajanovski, gjatë inaugurimit të gur themelit më 26 Gusht 2026.

“Shpronësimi më tepër se 65% është zgjidhur dhe nuk do të jetë pengesë, sikurse në projektet tjera për realizimin e punimeve ndërtimore nga ana e kompanisë. Për një muaj ose më së voni deri 2 muaj plotësisht do të zgjidhet çështja e shpronësimit si njëri nga parakushtet e mëdha të realizimit të projektit. Autostrada Shkup-Bllacë dukshëm do të shkurtojë kohën e udhëtimit, do ta përmirësoj sigurinë në trafik dhe do të ulë shpenzimet”, u shpreh Koce Trajanovski – drejtor i NP “Rrugët Shtetërore”.

Njëri ndër problemet për shpronësimin e tokave, ishte edhe në segmentin e parë prej 2km, ku me ligjin e ndryshuar një projekt strategjik i shteti nuk mund të ndalet dhe përmes Byrosë për ekspertizë ligjore banorëve të Bllacës ua vlerësuan tokat me nga 5€m², ndonëse fillimisht ju premtuan 50€m². Shumë prej tyre me ankesa në Gjykatën Administrative kanë arritur të marrin nga 15€m² për pyjet që shteti ua morri fshatarëve të Bllacës. Për krahasim, te segmenti i parë prej 2 kilometrash, në vitin 2020 ishin evidentuar 68 prona ose parcela që duhej të shpronësoheshin dhe ai proces tani më është kryer plotësisht thonë autoritet. Segment prej 2 km ka kushtuar hiç më pak se 24 milionë euro.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër