Shkup, 10 shtator, Zhurnal.mk – Marrëveshja me “Avalon” parashikon pagesë prej 300 milionë denarësh, konfirmoi drejtori i Lotarisë Shtetërore, Aleksandar Klimovski, i cili iu përgjigj edhe pyetjeve pse thirrja publike për dorëzimin e ofertave ka zgjatur vetëm pesë ditë.
Pyetja u ngrit edhe në kontekstin e faktit se oferta e kompanisë që paraqitet nën markën “Avalon” përmbante koncept prej rreth njëqind faqesh, për të cilin shtrohet pyetja si ka mundur të përgatitet brenda vetëm katër deri pesë ditësh.
“Po, 300 milionë denarë janë në marrëveshjen me Avalon për pagesë”, tha Klimovski.
Ai përsëriti se Lotaria Shtetërore, sipas interpretimit të tyre juridik të procedurës, nuk ka pasur fare detyrim të shpallë thirrje publike, por megjithatë ka vendosur ta bëjë këtë.
“Sa i përket afatit, ne nuk ishim të detyruar me ndonjë shpallje. Pavarësisht që nuk ishim të detyruar, ne megjithatë shkuam me shpallje prej pesë ditësh”, tha Klimovski.
Në pyetjen pse pikërisht pesë ditë janë vlerësuar si periudhë e mjaftueshme që kompanitë e interesuara të mësonin për thirrjen dhe të përgatisnin ofertë, Klimovski tha se bëhej fjalë për vlerësim të kompanisë.
“Ky është vlerësim ynë, kompanik, se mjaftojnë pesë ditë që publiku të dijë se ka shpallje për një punë të tillë”, tha ai.
Si arsye shtesë për afatin e shkurtër e përmendi kohën e nevojshme për organizimin e festës.
“Nuk mund të prisnim as shumë, sepse ka afate për fillimin e organizimit. Ishin të ngushta në këtë drejtim”, tha Klimovski.
Drejtori i Lotarisë Shtetërore zbuloi edhe se fillimisht kishte menduar që afati të ishte edhe më i shkurtër.
“Edhe ato pesë ditë, unë u mendova t’i vendos edhe tre ditë, por dolën pesë ditë”, tha Klimovski.
Në thirrjen publike ishte dorëzuar një ofertë – nga “Stardust DOOEL Shkup”, subjekti juridik përmes të cilit, sipas shpjegimit të mëparshëm të Klimovskit dhe Qeverisë, paraqitet “Avalon International Booking”. Oferta, siç kishte njoftuar më herët Klimovski, ishte rreth njëqind faqesh, pas së cilës u mor vendimi për zgjedhje dhe u nënshkrua marrëveshja.
