Gjyqtarët: Zhbllokoni pagat, përshkallëzojmë masat nëse nuk zbatohet vendimi i Kushtetueses

Nga D V
14 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 10 shtator, Zhurnal.mk – Ditën e sotme u zhvillua mbledhja e përgjithshme e gjyqtarëve e thirrur në mënyrë të jashtëzakonshme për shkak të bllokimit të pagave të gjyqtarëve dhe të administratës gjyqësore.

Në përfundim të mbledhjes, gjyqtarët kanë kërkuar zhbllokimin e menjëhershëm të pagave të gjyqtarëve dhe administratës gjyqësore, si dhe zbatimin pa vonesë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe të Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Në një qëndrim të përbashkët, gjyqtarët kërkojnë nga Ministria e Financave dhe institucionet në varësi të saj ekzekutimin e menjëhershëm të listëpagesave, duke theksuar se detyrimet ligjore ndaj gjyqtarëve dhe administratës gjyqësore nuk mund të mbahen të bllokuara.

Gjithashtu sipas tyre, vendimi i Gjykatës Kushtetuese dhe aktet e Këshillit të Lartë Gjyqësor kanë përcaktuar parametrat ligjorë të pagave dhe këto detyrime duhet të zbatohen plotësisht.

Gjyqtarët kërkuan gjithashtu nisjen e menjëhershme të shlyerjes së detyrimeve të prapambetura. Sipas tyre, ky është një detyrim kushtetues që nuk mund të kushtëzohet nga miratimi i një ligji të ri.

Një tjetër kërkesë lidhej me miratimin pa vonesë të kuadrit të ri ligjor për pagat, në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe garancitë kushtetuese të statusit të magjistratit.

Gjyqtarët kërkojnë që për këtë proces të zhvillohet një konsultim real me organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë.

“Mbledhja e Përgjithshme e Gjyqtarëve do të refuzojë të pranojë çdo propozim dhe zgjidhje ligjore, që nuk garanton paprekshmërinë e pagës dhe përfitimeve të tjera të ligjshme të gjyqtarëve, në parametrat ligjorë të konfirmuara nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese dhe i Këshillit të Lartë Gjyqësor”, thuhet në deklaratë.

Gjithashtu ata kërkojnë ndalimin e çdo praktike administrative që, sipas tij, pengon funksionimin financiar të gjykatave ose krijon pasiguri të përsëritur për pagat e gjyqtarëve dhe administratës.

Në deklaratë kërkohet që organet kompetente të marrin përgjegjësitë institucionale për kontrollin e ligjshmërisë së veprimeve të kryera dhe rivendosjen e menjëhershme të gjendjes së ligjshme. Gjyqtarët deklarojnë se do të përdorin të gjitha mjetet ligjore administrative, civile dhe kushtetuese për të garantuar ekzekutimin e pagave.

“Në rast se nuk veprohet menjëherë nga institucionet përgjegjëse për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe ekzekutimin e pagave, masat e ndërmarra nga pushteti gjyqësor do të përshkallëzohen deri në reduktimin dhe kufizimin përkohësisht të veprimtarisë gjyqësore, vetëm në shqyrtimin e çështjeve me natyrë urgjente dhe që kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme gjyqësore”, thuhet në deklaratë.

Kërkesat e plota:

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër