Skandal me patentat në Shkup: 27 persona kallëzohen penalisht, një punonjëse e MPB-së dyshohet se ndryshonte të dhënat

Nga Xh M
9 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 12 shtator Zhurnal.mk – Departamenti për Kontroll të Brendshëm, Hetime Kriminalistike dhe Standarde Profesionale pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme ka ngritur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike Shkup kundër 27 personave, mes tyre edhe një punonjëse e MPB-së, për shkak të dyshimeve për disa vepra penale të lidhura me futjen e paligjshme të kategorive në patentë-shoferë, lëshimin dhe përdorimin e tyre.

Nga MPB-ja bëjnë të ditur se gjatë masave dhe aktiviteteve të ndërmarra janë konstatuar keqpërdorime në procedurat për lëshimin e patentë-shoferëve, përmes ndryshimit të paligjshëm të të dhënave në sistemin elektronik dhe lëshimit të dokumenteve publike me përmbajtje të rreme.

Sipas hetimit, njëra nga personat e kallëzuar, punonjëse në Departamentin për Çështje Administrative Shkup, dyshohet se në periudhën nga 3 shtatori 2020 deri më 24 gusht 2026, duke përdorur kodin e saj zyrtar dhe autorizimet në sistemin elektronik, ka ndryshuar në mënyrë të paligjshme kërkesa për lëshimin e patentë-shoferëve të krijuara më herët nga punonjës të tjerë.

Në raste të caktuara, ajo dyshohet se ka refuzuar kërkesat e përgatitura më parë dhe ka krijuar kërkesa të reja, në të cilat ka futur kategori për të cilat aplikuesit nuk i plotësonin kushtet ligjore.

Pas ndryshimeve, kërkesat miratoheshin dhe lëshoheshin patentë-shoferë me të dhëna të pavërteta.

MPB-ja bën të ditur se e njëjta punonjëse më herët, gjatë periudhës 11 shkurt – 11 prill 2021, ishte larguar nga vendi i punës dhe më pas ishte larguar edhe nga Ministria e Punëve të Brendshme, për shkak të një kallëzimi penal për vepra të kryera gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare, të cilat lidheshin me keqpërdorime në procedurat për lëshimin e dokumenteve personale.

Më 15 janar 2025, bazuar në një vendim gjyqësor, ajo ishte kthyer përsëri në vendin e punës në Departamentin për Çështje Administrative Shkup.

21 persona morën kategori të futura në mënyrë të paligjshme

Sipas MPB-së, me veprimet e dyshuara të paligjshme janë lëshuar patentë-shoferë për 21 persona, me kategori të futura në kundërshtim me ligjin, ndërsa në një rast veprimi ka mbetur në tentativë.

Në tre raste, kërkesat e krijuara më parë ishin refuzuar, pas së cilës ishin përgatitur kërkesa të reja ku përsëri ishin futur kategori për të cilat nuk ishin plotësuar kushtet ligjore.

Hetimi ka zbuluar gjithashtu se katër persona kanë vepruar si ndërmjetës, duke bashkëpunuar me punonjësen e MPB-së për sigurimin e patentë-shoferëve në mënyrë të paligjshme.

Sipas njoftimit, ndërmjetësit gjenin persona të interesuar, i lidhnin ata me zyrtaren e MPB-së dhe koordinonin të gjithë procedurën, deri te futja dhe miratimi i paligjshëm i kategorive në sistemin elektronik dhe lëshimi i patentë-shoferëve.

Rasti tashmë është dorëzuar në Prokurorinë Themelore Publike Shkup, ku pritet procedim i mëtejshëm për dyshimet dhe veprat penale të konstatuara.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër