Shkup, 17 shtator, Zhurnal.mk – Nga vizatimet e fëmijëve deri te ormanët elektroenergjetikë në hapësirën publike – projekti “EVN4Environment” tregoi se si kreativiteti i nxënësve me aftësi të kufizuara mund të bëhet i dukshëm dhe i qëndrueshëm.
Ministrja e energjetikës, minierave dhe mineraleve, Sanja Bozhinovska, mori pjesë në ngjarjen “Partnerships for Inclusion: Turning ESG Commitments into Action”, kushtuar fazës së dytë të projektit “EVN4Environment” të EVN Maqedoni, i realizuar në partneritet me “Rade Konçar TEP”.
Në kuadër të projektit u përfshinë 10 shkolla dhe më shumë se 100 nxënës. Përmes punëtorive edukative dhe kreative nxënësit krijuan mesazhe për mbrojtjen e mjedisit jetësor, ndërsa idetë e tyre më pas morën formë të re – si frymëzim për dizajnin e ormanëve elektroenergjetikë të vendosur në hapësirën publike. Në ngjarjen e sotme, ku morën pjesë ministrja e energjetikës, minierave dhe mineraleve Sanja Bozhinovska, drejtori ekzekutiv i EVN Maqedoni, Wolfgang Maer, dhe drejtori i “Rade Konçar TEP”, Goran Antevski, dy nga nxënësit paraqitën personalisht zgjidhjet e tyre kreative dhe para të pranishmëve pikturuan mbi ormanët elektroenergjetikë, me ç’rast kreativiteti i tyre nga punëtoria shkollore u transferua në botën reale.
“Ormanët janë vërtet të mrekullueshëm, por edhe më e bukur është ajo që qëndron pas tyre. Pas çdo vizatimi ka një të ri me talent, me ide dhe me dëshirë të jetë pjesë e shoqërisë. Kur një kompani si EVN e njeh atë kreativitet dhe i jep hapësirë të bëhet i dukshëm, ne në fakt u japim diçka shumë më të rëndësishme – shpresë dhe ndjenjën se nuk janë të harruar, se nuk janë të përjashtuar dhe se edhe për ta ka vend të krijojnë, të kontribuojnë dhe të tregojnë kreativitetin e tyre. Falënderim i veçantë për të gjithë ekipin e ‘Rade Konçar TEP’ që e njohën vlerën e kësaj iniciative dhe u përfshinë me kontribut konkret. Me këtë treguan se kompanitë mund të bëjnë shumë më tepër se sa është veprimtaria e tyre bazë – dhe t’u tregojnë këtyre të rinjve se talenti i tyre, idetë e tyre dhe kreativiteti i tyre kanë vendin e vet. Pikërisht përmes partneriteteve të tilla inkluzioni bëhet real, i dukshëm dhe i qëndrueshëm. Pikërisht iniciativa të tilla duhet t’i mbështesim dhe të ketë sa më shumë”, tha ministrja Bozhinovska. Ajo e theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes aktive të kompanive, duke nënvizuar se sektori energjetik, përveç rolit të tij bazë në sigurimin e energjisë së sigurt dhe stabile, ka hapësirë të jetë partner i fortë edhe në krijimin e një shoqërie më gjithëpërfshirëse.
“Kur kompanitë, institucionet dhe institucionet arsimore punojnë së bashku, mund të krijojmë ndryshime që ndihen drejtpërdrejt në jetën e njerëzve. Dua që shembuj të tillë t’i shohim gjithnjë e më shpesh edhe te kompani të tjera – sepse çdo investim te të rinjtë, te inkluzioni dhe te mundësitë e barabarta është investim në të ardhmen e shoqërisë sonë. Çdo i ri duhet të ketë hapësirë të tregojë çfarë di dhe çfarë mund të bëjë. Prandaj na nevojiten më shumë partneritete të tilla dhe më shumë kompani që do të hapin dyer për inkluzionin”, theksoi Bozhinovska. Ministria e energjetikës, minierave dhe mineraleve i mbështet këto dhe iniciativa të ngjashme që i lidhin energjetikën, mbrojtjen e mjedisit, arsimin, inkluzionin dhe përgjegjësinë shoqërore.
Ministria mbetet e hapur për mbështetje të iniciativave që sjellin përfitime konkrete për qytetarët dhe krijojnë më shumë mundësi për të rinjtë, veçanërisht për ata që kanë nevojë për mbështetje shtesë për ta realizuar plotësisht potencialin e tyre.
