Rama: Zhvillimet rreth pagave të magjistratëve janë shqetësuese, të jetë e qartë ku mbaron një pushtet dhe fillon tjetri

Nga D V
28 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 18 shtator, Zhurnal.mk – Kryeministri Edi Rama vijoi sot në Kuvend diskutimin për pagat e magjistratëve, shprehu shqetësim për atë që e cilësoi si ndërveprim mes shoqatave dhe trupës gjyqësore, duke iu referuar lëvizjeve që, sipas tij, mund të jenë të koordinuara.

“Të shohësh një ndërveprim shoqatash me trupën gjyqësore të Shqipërisë dhe të shohësh lëvizje të kordinuara në dijenin time, gjykatësit as me njëri-tjetrin nuk flasin për para se të marrin një vendim, pasi e kanë të ndaluar. Brenda një trupe diskutojnë, por nuk ja thonë njëri tjetrit sesi do e vendosin një punë apo tjetër. Të shohësh këtë lloj organizimi është shqetësuese”, tha Rama.

Rama u bëri thirrje deputetëve që, sipas tij, të mos e trajtojnë me lehtësi këtë situatë, duke argumentuar se zhvillimet në raportet mes institucioneve ndikojnë në funksionimin e shtetit dhe të demokracisë.

“Unë mendoj që të gjithë deputët këtu pavarësisht anës, s’duhet ta marrin me kaq lehtësi sepse jeta vazhdon dhe të gjitha zhvillimet në këtë drejtim, janë drejtime që e dëmtojnë Shqipërinë. Nuk e ndihmojnë këto zhvillime vendin”, tha Rama.

Ai theksoi se mazhoranca do të respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për mënyrën se si e interpreton atë, ndërsa vuri në dukje se vetë Gjykata Kushtetuese ia ka lënë Kuvendit hapësirën për të përcaktuar zgjidhjen brenda kornizës së vendimit.

“Ne do të respektojmë vendimin e GJK-së për atë se si ne e kuptojmë. Dhe GJK këtë diskrecion ia lë Kuvendit. Madje GJK përcakton edhe kornizën e mundësive që janë në dispozicion në këtë pikë”, tha Rama.

Sipas tij, Kuvendi duhet të japë një mesazh të qartë lidhur me ndarjen e kompetencave mes institucioneve.

“Detyra juaj është që të mos lejoni që ne të ngremë dorën gabim, por detyra jonë është t’ju themi se ju s’na e thoni dot kurrë se si ne e ngremë dorën. Nëse ngatërrohen këto të dyja, kemi një problem shumë të madh, që nesër mund të bëhet edhe më i madh”, u shpreh Kryeministri.

Rama mohoi se qëndrimi i tij për këtë çështje nuk lidhet me ndonjë përplasje apo presion ndaj sistemit të drejtësisë.

“Këtu s’ka asnjë lloj sfide, asnjë lloj lufte të asnjë natyre me sistemin e drejtësisë, asnjë lloj presioni, asgjë”, deklaroi ai.

Duke iu referuar pretendimeve se diskutimi për pagat mund të përbëjë një tentativë për presion ndaj institucioneve të drejtësisë, Rama tha se SPAK nuk ka kërkuar rritje pagash.

“Nëse shkojmë fillit të logjikës të atyre që e paraqitën këtë si një tentativë për presion, SPAK s’ka kërkuar rritje pagash, as s’ka kërkuar dhe as ka çuar listëpagesën përveçse sipas formulës së vjetshme”, tha Rama.

Kryeministri e cilësoi çështjen si pjesë të procesit të konsolidimit institucional të vendit në kuadër të integrimit europian, duke theksuar se reforma në drejtësi ka krijuar një pushtet të ri dhe të pavarur.

“Këtu është një çështje shtetbërjeje europiane. Ne i kemi hyrë në një fazë të re. Ne kemi një pushtet të ri të pavarur, kjo është e qartë dhe pikërisht se është një pushtet i ri iRama pavarur, po shohim gjëra që janë të paimagjinueshme për një demokraci të konsoliduar”, tha ai.

“Ne kemi një pushtet të ri të pavarur, kjo është e qartë dhe pikërisht se është një pushtet i ri i pavarur, po shohim gjëra që janë të paimagjinueshme për një demokraci të konsoliduar. Me hetues që shkojnë në Ministrinë e Financave, me prokurorë që shkojnë në dyert e Thesarit, me gjykatës që kërcënojnë punonjësit e Thesarit. Jemi në kushtet e një trupe që po shijon pavarësinë e vetë. “Këtë duam ne!” Këto doni ju? Unë nuk besoj se doni këtë!”, tha Rama.

Në përfundim, Kryeministri theksoi se institucionet kanë përgjegjësi të forcojnë ndarjen e pushteteve, por njëkohësisht të përcaktojnë kufijtë e kompetencave të secilit prej tyre.

“Ne kemi përgjegjësi që ta forcojmë këtë dinamikë të ndarjes së pushteteve, por kemi përgjegjësi të tregojmë se ku mbaron njëri dhe ku fillon tjetri pushtet. Kushtetuta nuk flet për dy autoritete dhe një pushtet të pavarur, por flet për tre pushtete të pavarura. Janë reciprokisht të pavarura dhe reciprokisht të ndërthurura”, përfundoi Rama.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër