Manastir, 20 shtator, Zhurnal.mk – Botës sot i mungon idealizmi, dhe kur them idealizëm, nuk kam parasysh utopinë, por përkundrazi kam parasysh ligjin, drejtësinë, moralin, etikën, theksoi presidentja Gordana Siljanovska Davkova në takimin e sotëm me anëtarët e Këshillit për sipërmarrje të grave në Manastir, transmeton Zhurnal.mk.
Në një bisedë interaktive me anëtarët e Këshillit, të formuar nga Komuna e Manastirit, Siljanovska Davkova foli për situatën aktuale në botë, rolin e grave dhe sfidat në mjedisin global.
“Botës sot i mungon idealizmi, dhe kur them idealizëm, nuk kam parasysh utopinë, por përkundrazi kam parasysh ligjin, drejtësinë, moralin, etikën… dhe për realizmin?! Çdo ditë na bindin për realpolitikën, por pasojat janë darvinizëm dhe kjo është e turpshme për njerëzimin, sepse mëkati nuk bëhet duke vepruar, por edhe me mosveprim, duke shikuar… nesër dikush do të pyesë se ku ishit kur ndodhnin këto gjëra. Etika, morali, parimet dhe vlerat duhet të mbrohen dhe unifikohen vazhdimisht”, theksoi Siljanovska Davkova.
Presidentja Siljanovska Davkova tha se për të tejkaluar problemet, duhet t’i jepet më shumë hapësirë diplomacisë kulturore.
“Shoh shumë njerëz të zhgënjyer që shkojnë në kërkim të lumturisë nëpër botë, për shkak të asaj që po ndodh në luftën midis Rusisë dhe Ukrainës, por edhe në Gaza, në Ngushticën e Hormuzit. Gjëja më e frikshme është kur të përballen me logjikën e shëndoshë, sepse lufta ngjall zemërim dhe pasojat janë afatgjata. Kjo është arsyeja pse kemi një detyrim dhe diplomacia kulturore është më e frytshme dhe më e fortë, më humane se sa diplomacia tradicionale. Diplomacia paqësore ose parandaluese është më e mirë se sa diplomacia reaktive”, tha ndër të tjera Silajnovska Davkova.
Përveç presidentes Siljanovska Davkova, të ftuar në takimin e sotëm me anëtarët e Këshillit për sipërmarrjen e grave kanë qenë kryetari i komunës, Toni Konjanovski dhe kryetari i Këshillit të komunës së Manastirit, Bojan Bojkovski.
