Kallas i mblodhi liderët e Ballkanit Perëndimor, Kurti: Kosova nuk duhet dhe nuk mund të mbetet peng i fqinjit të saj verior

Nga D V
14 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 24 shtator, Zhurnal.mk – Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka njoftuar sot lidhur me takimin që ka pasur me Kaja Kallas, e cila një ditë më parë mblodhi në drekë liderët e Ballkanit Perëndimor.

Kurti në një postim në Facebook shkruan se statusi i shtetit kandidat për anëtarësim pa vonesa të mëtejme, përveçse i merituar, do të duhej të ishte përgjigjja e Bashkimit Evropian për besnikërinë e Kosovës ndaj vlerave demokratike dhe përcaktimit të qartë strategjik euroatlantik, por edhe veprim inkurajues për hov të shtuar në përkushtimin tonë për reforma e zhvillim.

Lexoni të plotë postimin e Kurtit:
Dje, në New York mora pjesë në drekën e Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri dhe Zëvendëspresidentes së Komisionit Evropian, Kaja Kallas, me liderët e Ballkanit Perëndimor.
Statusi i shtetit kandidat për anëtarësim pa vonesa të mëtejme, përveçse i merituar, do të duhej të ishte përgjigjja e Bashkimit Evropian për besnikërinë e Kosovës ndaj vlerave demokratike dhe përcaktimit të qartë strategjik euroatlantik, por edhe veprim inkurajues për hov të shtuar në përkushtimin tonë për reforma e zhvillim.
Mbajtja në sirtar e aplikimit të dorëzuar në dhjetor të vitit 2022 në Pragë, përderisa jemi tërësisht të linjëzuar me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së dhe kemi shënuar përparim të rëndësishëm në pothuaj tërë fushat, përveçse padrejtësi ndaj Republikës së Kosovës do të ishte inkurajim i akterëve destabilizues rajonal dhe më gjerë.
Republika e Kosovës nuk duhet dhe nuk mund të mbetet peng i fqinjit të saj verior, shtetit që mbron e shpërblen kriminelët e këtij shekulli dhe glorifikon të tjerët që kryen krime kundër njerëzimit, krime lufte e gjenocid në fund të shekullit të kaluar, në luftërat e ish-Jugosllavisë. Sikurse, mohon e fsheh krimet dhe refuzon të bashkëpunojë në zbardhjen e të vërtetës për të zhdukurit me dhunë, duke pamundësuar drejtësinë. Ndërsa vijon me shkelje të të drejtave dhe spastrim etnik administrativ ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër