Haxhiu: Nuk kam pasur kërkesë për seancë të jashtëzakonshme, sapo të vijë do ta procedoj pa vonesa

Nga D V
5 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 25 shtator, Zhurnal.mk – Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka thënë se nuk ka pasur asnjë kërkesë të proceduar në Kuvend për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme pas vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë, duke sqaruar se sipas Rregullores së Kuvendit, ajo nuk ka të drejtë ta thërrasë vetë një seancë të tillë, raporton Ekonomia Online.

Haxhiu ka thënë se seancat e jashtëzakonshme mund të kërkohen nga të paktën 40 deputetë dhe se, në momentin që një kërkesë e tillë arrin në Kuvend, ajo do të procedohet menjëherë.

“Janë bërë kritika në drejtimin tim se pse nuk kam thirrur një seancë të jashtëzakonshme pas vendimit të Hagës. Më lejoni që të sqaroj, nuk ka pasur asnjë kërkesë që është proceduar në Kuvendin e Kosovës për një kërkesë, pra kërkesë që ndërlidhet me mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme. T’ju sqaroj që sipas rregullores së Kuvendit, Kryetarja e Kuvendit nuk ka të drejtë të thërrasë seanca të jashtëzakonshme. Seancat e jashtëzakonshme mund t’i thërrasin deputetët, pra 40 deputetë nënshkrues dhe menjëherë sapo të mbërrijë, edhe sot e kësaj dite, sapo të mbërrijë një kërkesë e tillë sepse nuk e kam pasur, natyrisht që do të procedoj menjëherë dhe pa vonesa sipas kërkesës”, tha ajo.

Ndërkaq, Haxhiu ka bërë të ditur se në mbledhjen e Kryesisë është dakorduar që seanca e së hënës të procedojë edhe me formimin e komisioneve parlamentare.

“Po ashtu më lejoni që t’ju njoftoj që ne sot jemi dakorduar që të procedojmë seancën e së hënës siç e përmenda komisionet parlamentare. Është shumë e rëndësishme që të funksionalizojmë Kuvendin e Republikës së Kosovës në plotëni, prandaj edhe të hënën uroj që të gjitha grupet parlamentare mbështesin formimin e komisioneve se si i kanë ndarë grupet parlamentare komisionet besoj që do të njoftoheni nga grupet parlamentare, por edhe nga vetë komunikata e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe duke pasur parasysh që kemi shumë çështje për t’i trajtuar dhe interesin tuaj për çështje të tjera, më lejoni që të ndërpres fjalën time këtu, në mënyrë që t’ju jap mundësi pyetjeve nga ana juaj”, tha ajo.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër