Shkup, 28 shtator, Zhurnal.mk – Të dhënat e fundit të Eurostat-it zbulojnë një realitet të hidhur për Maqedoninë e Veriut pothuajse një në katër të rinj të moshës 15–29 vjeç nuk janë as të punësuar, as të përfshirë në arsim apo trajnim. Me një normë 23.4% në vitin 2025, vendi renditet dukshëm mbi mesataren evropiane prej 11%, duke e dyfishuar hendekun me Bashkimin Evropian. Ky tregues, i njohur si NEET (Not in Employment, Education or Training), është pasqyrë e një krize sociale dhe institucionale. E ndaj kësaj situate përgjegjësia duhet të kërkohet që sa më parë të veprohet, shkruan Zhurnal.
Kriza e rinisë po tejkalon kufijtë e papunësisë
Ndryshe nga papunësia klasike, treguesi NEET përfshin edhe të rinjtë që nuk janë fare aktivë në tregun e punës dhe nuk ndjekin asnjë formë arsimi apo trajnimi. Kjo e bën problemin më të ndërlikuar pasi nuk flasim vetëm për mungesë vendesh pune, por për një gjeneratë të tërë që rrezikon të mbetet jashtë sistemit ekonomik dhe arsimor. Rritja nga 22.6% në vitin 2024 në 23.4% në vitin 2025 tregon se trendi është negativ, pavarësisht retorikës politike për përmirësim.
Në rajonin ballkanik, Maqedonia e Veriut ka një nga normat më të larta të NEET. Serbia regjistron 15.1%, Bullgaria 13.8% dhe Greqia 13.6%. Ky kontrast nxjerr në pah dështimin e politikave kombëtare për integrimin e të rinjve, duke e lënë vendin shumë larg objektivit evropian për ta ulur normën në 9% deri në vitin 2030.
Raporti i Eurostat-it nuk ndalet vetëm te tregu i punës. Ai hap panoramën e kushteve të jetesës, ku barrë e kostos së strehimit është një tjetër sfidë. Një familje konsiderohet e ngarkuar nëse mbi 40% e të ardhurave shkojnë për qira, energji, ujë e mirëmbajtje. Mesatarja evropiane është 7.7%, por për vendet kandidate si Maqedonia, krahasimet shpesh janë të paqarta për shkak të metodologjisë së ndryshme. Megjithatë, fakti mbetet se të rinjtë pa punë dhe pa arsim janë më të ekspozuar ndaj pasigurisë së strehimit dhe varfërisë strukturore.
Cilat janë rajonet e padukshme?
Një problem shtesë është mungesa e të dhënave të detajuara rajonale. Eurostat e trajton Maqedoninë si një entitet të vetëm në nivelin statistikor NUTS 2, duke mos lejuar krahasime të drejtpërdrejta mes rajoneve si Shkupi apo Pollogu. Kjo fsheh pabarazitë e brendshme papunësia rinore në zonat rurale ka gjasa të jetë edhe më e lartë, por pa të dhëna të sakta, politikat mbeten të verbra.
Kujtojmë që, norma e lartë e NEET duhet të jetë alarm për një gjeneratë që po humbë nga zinxhiri strukturor ku mund të shërbej. Nëse Maqedonia e Veriut nuk ndërmerr politika të synuara për aktivizimin e të rinjve, investime në arsim praktik dhe krijimin e kushteve për punësim cilësor, rrezikon të mbetet e izoluar nga objektivat evropiane. Çdo përqindje e humbur sot është një kapital njerëzor i humbur nesër.
Ndërkaq, sa i përket objektivave që kjo përqindje për disa vite të ulet në 9% nga 23% që është sot, lirshëm mund të futet ky objektiv në sirtarin e dëshirave sepse punë konkrete në këtë drejtim nuk shihet. /Zhurnal.mk
