Shkup, 2 tetor, Zhurnal.mk – Nga Shkupi deri në Prishtinë me tren për rreth 50 minuta. Ndërmarrjet hekurudhore të Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës po punojnë për vendosjen e një linje direkte mes dy kryeqyteteve, me qëllim që ajo të vihet në qarkullim vitin e ardhshëm, thonë nga VLEN.
“Për qytetarët që udhëtojnë mes dy vendeve, kjo do të thotë udhëtim më i shpejtë dhe edhe një mundësi e re për transport, pa marrë parasysh nëse shkojnë në punë, në studime apo te të afërmit e tyre. Paralelisht, lidhja me Kosovën po përmirësohet edhe me ndërtimin e autostradës Shkup–Bllacë. Me përfundimin e saj do të lidhen autostradat nga të dyja anët e kufirit, gjë që do ta lehtësojë udhëtimin drejt Prishtinës dhe transportin e mallrave. Për VLEN, të dy projektet janë mes prioriteteve për lidhje infrastrukturore. Qytetarët dhe kompanitë tona prej vitesh presin lidhje komunikacioni që do t’ua lehtësojnë udhëtimet e përditshme dhe bashkëpunimin afarist.
Prandaj, si pjesë e Qeverisë, angazhohemi që këto projekte të realizohen sa më shpejt. Ato do t’u mundësojnë qytetarëve udhëtim më të lehtë dhe më të shpejtë, ndërsa kompanive transport më efikas të mallrave. Me autostradën Shkup–Bllacë dhe linjën direkte hekurudhore, Shkupi dhe Prishtina do të jenë më afër edhe në jetën e përditshme”, njoftuan nga partia.
