Shkup, 2 tetor, Zhurnal.mk – Komisioni Evropian po përqendrohet në debllokimin e procesit të qasjes për Maqedoninë, pas së cilës mund të pasojnë edhe udhërrëfyes konkretë për vendin, porositi presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Duke iu përgjigjur një pyetjeje për lënien jashtë të Maqedonisë nga udhërrëfyesit që Brukseli po përgatit për disa nga vendet kandidate, von der Leyen konfirmoi se javën e ardhshme duhet të bëhet hapi i parë i ri në drejtim të debllokimit të procesit.
Ajo tha se qëllimi është që situata ekzistuese të debllokohet dhe procesi të aktivizohet përsëri.
“U dakorduam të kemi një hap të parë të ri javën e ardhshme dhe të përpiqemi ta debllokojmë procesin dhe, në fakt, ta kthejmë në proces. Ky është pjesa më e rëndësishme”, tha von der Leyen.
Sipas saj, javën e ardhshme do të shqyrtohet i gjithë procesi i qasjes. Ajo shpjegoi se udhërrëfyesit për momentin kanë të bëjnë me shtetet që tashmë janë thellësisht të përfshira në negociatat e qasjes dhe hapin e mbyllin kapituj.
Von der Leyen vlerësoi se, nëse debllokohet situata, procesi me Maqedoninë mund të zhvillohet shpejt, sepse, siç tha, vendi tashmë po punon intensivisht në reformat e nevojshme.
“Në momentin kur ta debllokojmë situatën këtu, mendimi im personal është se mund të jemi shumë të shpejtë me Maqedoninë, sepse tashmë po punojmë intensivisht në reformat që janë të nevojshme. Po, ende ka punë, por është mbresëlënëse ajo që deri tani e keni bërë”, porositi ajo.
Von der Leyen shtoi se në këtë moment fokusi është vendosur në debllokimin e procesit, pas së cilës, sipas saj, mund të fillohet me përgatitjen e udhërrëfyesve edhe për Maqedoninë.
