Shkup, 3 tetor Zhurnal.mk – Studentët kërkojnë rritjen e subvencionit për ushqimin studentor nga 140 në 200 denarë, si dhe mbështetje për transportin ndërurban dhe kushte më të mira në konviktet studentore.
Platforma „Studentaria“ pret që Ministria e Arsimit t’i pranojë kërkesat e studentëve, ndërsa organizatat studentore tashmë kanë kërkuar që subvencionimi për vaktin studentor të rritet në 200 denarë. Përveç kësaj, studentët kërkojnë edhe zbritje për biletat e transportit ndërurban.
„Edhe këtë vit kemi të njëjtin problem si vitet e kaluara. Shumë studentë u refuzuan për vaktin e subvencionuar studentor, sepse shërbimet studentore të fakulteteve nuk e dërguan në kohë listën e studentëve të rregullt në Ministrinë e Arsimit“, deklaroi për „Telma“ Angela Vasilevska, kryetare e Kuvendit Studentor Universitar të UKIM-it.
Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, tha se është e informuar për problemet e studentëve dhe se do të shqyrtohet se çfarë mund të bëhet.
„Sipas përllogaritjes aktuale, bazuar në shkallën e inflacionit, vakti studentor duhet të rritet vetëm për shtatë denarë. Pra, ai do të ishte 147 denarë. Iniciativa për rritjen e shumës ka arritur në MASH. Ne tashmë kemi filluar të mendojmë për ndryshimin e metodologjisë“, deklaroi ministrja Janevska.
Kështu, përderisa studentët kërkojnë që subvencioni për ushqimin të arrijë në 200 denarë, përllogaritja aktuale e Ministrisë së Arsimit parashikon një shumë prej 147 denarësh, ndërsa mbetet të shihet nëse do të ndryshojë metodologjia e përllogaritjes dhe nëse kërkesat e studentëve do të merren parasysh.
