Qeveria drejt rishikimit të buxhetit, rritja e çmimeve të energjisë dhe naftës hap një vrimë prej 7-8 miliardë denarësh

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Shkup, 4 tetor Zhurnal.mk – Zhvillimet në Lindjen e Mesme kanë tronditur sërish tregjet ndërkombëtare, ndërsa rritja e çmimeve të naftës, energjisë elektrike dhe gazit po shton presionin mbi buxhetin e shtetit. Përballë kësaj situate, Qeveria e Maqedonisë së Veriut po shqyrton mundësinë e një rishikimi të ri të buxhetit, ndërsa ekspertët paralajmërojnë se rishpërndarja e mjeteve mund të mos jetë e mjaftueshme për të mbuluar mungesën e të ardhurave.

Vetëm tre muaj para përfundimit të vitit, shtetit i mbetet të realizojë rreth dy miliardë euro nga të ardhurat e planifikuara buxhetore. Në anën tjetër, nga deficiti i parashikuar deri në fund të vitit, mbetet të shpenzohen edhe pak më shumë se 100 milionë euro.

Kryeministri Hristijan Mickoski ka pranuar se masat e ndërmarra për përballimin e rritjes së çmimeve kanë kosto financiare dhe se kjo mund ta bëjë të domosdoshëm një rishikim të ri të buxhetit.

“Për ne kjo paraqet sfidë, sepse të gjitha këto masa kanë koston e tyre. Siç thuhet, nuk ka drekë falas. Prandaj, me shumë gjasë do të duhet të bëjmë edhe një rishikim të buxhetit, pasi vetëm nga akcizat vlerësimet tregojnë se do të mungojnë rreth pesë miliardë denarë. Nëse kësaj i shtohet edhe norma e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar për naftën dizel, e cila është ulur, arrijmë në një shumë prej 7 deri në 8 miliardë denarësh, e cila nuk mund të mbulohet përmes rishpërndarjes së mjeteve dhe për këtë arsye do të duhet të bëhet zyrtarisht një rishikim i tillë”, deklaroi Mickoski.

Ndërkohë, opozita ka reaguar ashpër ndaj politikës ekonomike të Qeverisë, duke e cilësuar paralajmërimin për rishikim të buxhetit si dëshmi të mungesës së mjeteve financiare dhe dështimit të planifikimit ekonomik.

Nga LSDM-ja vlerësojnë se një rishikim i ri i buxhetit do të sjellë edhe borxhe shtesë, duke rritur më tej detyrimet financiare të shtetit.

“Shteti po merr borxhe. Fatura sërish po vjen për t’u paguar. Kështu duket politika ekonomike e hajdutit Mickoski. Nga njëra xhep në tjetrin. Njësoj si diplomacia. Rishikimi i buxhetit që paralajmëroi për këtë muaj është një pranim i dështimit, jo fitore: buxhetit tashmë i mungojnë 7 deri në 8 miliardë denarë. Këtë gropë do ta mbulojë me një plan të ri dhe me një kredi të re. Ulja e çmimit të benzinës është kostoja që qytetari e paguan dy herë”, akuzojnë nga LSDM-ja.

Nëse rishikimi i buxhetit nuk realizohet gjatë javës së ardhshme, Qeveria do të duhet të gjejë hapësirë financiare përmes rishpërndarjes së mjeteve të planifikuara për projekte dhe shpenzime të tjera.

Televizioni Telma ka kërkuar sqarime nëse kjo çështje do të jetë në rend dite në seancën e ardhshme të Qeverisë, të paraparë për të martën, por nga shërbimi për shtyp i Qeverisë kanë bërë të ditur se deri më tani nuk ka një informacion të tillë.

Mbetet të shihet në ditët në vijim nëse Qeveria do të vendosë për një rishikim të ri të buxhetit apo do të tentojë ta menaxhojë situatën përmes rishpërndarjes së mjeteve ekzistuese, në një kohë kur rritja e çmimeve dhe presionet ekonomike po rëndojnë gjithnjë e më shumë financat publike.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër