Shkup, 06 tetor, Zhurnal.mk – Ish-avokati dhe ish-këshilltari shtetëror juridik, Fehmi Stafa, i cili po vuan dënim me burg pasi pranoi fajësinë në rastin ku akuzohet se ka marrë gjithsej 50 mijë euro nga motra e Ljupço Pecov – i njohur si “Djalli”, sot u soll nga burgu i Shutkës në Gjykatën Penale për të dëshmuar në mbrojtje të gjyqtarit Gjoko Ristov.
Edhe pse më herët kishte pranuar fajin dhe ishte marrë vesh me prokurorinë, Stafa në dëshminë e tij mohoi që paratë të kishin qenë të destinuara për gjyqtarin Ristov. Ai tha se 20 mijë eurot i kishte marrë si shpërblim avokatie për përfaqësimin e Pecovit, ndërsa 30 mijë eurot e tjera si hua nga ai.
“Në asnjë rast nuk i kam dhënë para Gjoko Ristovit,” deklaroi Stafa, duke shtuar se pranimin e fajësisë e kishte bërë për të zgjedhur “të keqen më të vogël”, pasi, sipas tij, ishte i bindur se nuk do të dilte gjallë nga qelia.
Si argument se nuk kishte mundur të ndikonte te Ristov, Stafa përmendi faktin se 11 ditë para arrestimit të tij, Gjykata e Apelit tashmë kishte vendosur për ankesën e Pecovit, duke refuzuar kërkesën që ai të lirohej nga paraburgimi.
Në dëshminë e tij, Stafa foli gjerësisht për presionet e supozuara nga hetuesit dhe prokurorja Iskra Haxhi-Vasileva, duke pretenduar se ishte detyruar të thoshte se paratë ishin për gjyqtarin Ristov. Ai akuzoi hetuesit për sjellje agresive dhe keqtrajtim gjatë arrestimit.
Gjykata hapi edhe çështjen e shumës prej 100 mijë eurosh të përmendur në materialet e provave dhe komunikimet e rastit, por Stafa përsëriti se bëhej fjalë për shërbime avokatie dhe jo për ndikim te gjyqtari.
Prokurorja, në pyetjet e saj, e rikujtoi se Stafa më herët, i vetëdijshëm për pasojat, kishte pranuar marrëveshjen me prokurorinë dhe fajësinë. Stafa megjithatë mbeti në qëndrimin e tij se pranimi ishte vendim i vetëdijshëm, por jo konfirmim i plotë i të gjitha pretendimeve të aktgjykimit.
Përveç Stafës, mbrojtja ka propozuar si dëshmitarë edhe prindërit e gjyqtarit Ristov, te të cilët u gjetën 350 mijë euro të fshehura në mur, si dhe vetë Ljupço Pecovin – “Djallin”. Avokati i Ristovit, Zvonko Davidoviq, konfirmoi se edhe Pecov është propozuar si dëshmitar, por nuk është e sigurt nëse ai do të paraqitet para gjykatës.
