Shkup, 6 tetor, Zhurnal.mk – Në një kohë kur besimi i qytetarëve tek drejtësia kërkon figura të forta, të përgatitura dhe të paanshme, kandidatura e prokurorit Faton Azizi për kreun e Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit paraqet një mundësi të re për forcimin e integritetit institucional, shkruan Zhurnal.
Azizi, i diplomuar në Fakultetin Juridik në vitin 2006 dhe me studime master të përqendruara në bashkëpunimin e Maqedonisë me Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, ka ndërtuar një karrierë të konsoliduar mbi themelet e profesionalizmit dhe përkushtimit. Përvoja e tij në Akademinë për Gjykatës dhe Prokurorë Publikë, si dhe angazhimi në Prokurorinë Themelore Publike Shkup, i japin bazën e fortë për të vepruar me kompetencë në rastet më të ndjeshme të krimit financiar dhe korrupsionit.
Që nga delegimi i tij në PNKOK në vitin 2024, Azizi ka qenë pjesë e departamentit që merret me ndjekjen e korrupsionit të nivelit të lartë, duke u shndërruar në një pikë lidhëse mes prokurorisë dhe Eurojust-it. Ky rol e ka vendosur në qendër të bashkëpunimit ndërkombëtar, duke e bërë një figurë kyçe për harmonizimin e standardeve evropiane në ndjekjen e krimit të organizuar.
Dosjet e rëndësishme ku ai ka vepruar – si “Aditivi” me 38 të akuzuar, çështja kundër kryetares së Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, si dhe rastet “Botox” dhe “FFM” dëshmojnë aftësinë e tij për të menaxhuar lëndë komplekse me ndikim të madh publik. Përfshirja e tij në rigjykimet e dosjeve të profilit të lartë, si rasti i ish-sekretarit të përgjithshëm të Qeverisë Dragi Rashkovski dhe “Lidhja Ndërkombëtare”, e forcon më tej reputacionin e tij si prokuror i vendosur për të çuar drejtësinë deri në fund.
Në një periudhë kur mandati i Islam Abazit po përfundon, zgjedhja e pasardhësit do të jetë vendimtare për të ardhmen e PNKOK-së. Kandidatura e Faton Azizit duket të jetë një garanci se drejtimi i institucionit mund të mbështetet mbi përvojë, profesionalizëm dhe vizion të qartë për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Azizi përfaqëson gjeneratën e re të prokurorëve që e shohin drejtësinë si mision, jo si privilegj. Nëse i besohet drejtimi i PNKOK-së, ai duket që ka potencialin të kthejë këtë institucion në një shtyllë të besueshme të sundimit të ligjit dhe të integritetit publik.
Kujtojmë që, ky është momenti kur sistemi i drejtësisë ka nevojë për figura që jo vetëm e njohin ligjin, por edhe e mbrojnë atë me vendosmëri. Faton Azizi në bazë të kësaj që figuron në bagazhin e tij duket që është një prej tyre. //Zhurnal.mk
