TAV Maqedoni: Aeroportet në vend vazhdojnë të thyejnë rekorde – shërbehen 3,3 milionë pasagjerë për nëntë muaj

Nga I.A
A+ A-
Rivendos

Shkup, 7 tetor, Zhurnal.mk – Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit dhe Aeroporti “Shën Apostull Pali” në Ohër vazhdojnë të thyejnë rekorde. Në nëntë muajt e parë të vitit 2026, dy aeroportet e Maqedonisë së Veriut, të cilat menaxhohen nga TAV Maqedoni — degë e TAV Airports dhe anëtare e grupit ADP — shërbyen gjithsej 3,3 milionë pasagjerë (3.331.685), që përfaqëson një rritje prej 29 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025, njoftojnë nga TAV Maqedoni.

Të njëjtën kohë, siç bëjnë të ditur ata, numri i fluturimeve në periudhën janar-shtator arriti në gjithsej 22.147, që është një rritje prej 10 për qind krahasuar me vitin e kaluar.

Rezultatet e arritura në nëntë muajt e parë të vitit 2026 janë një konfirmim i fuqishëm i trendit pozitiv në aviacionin e Maqedonisë së Veriut, me ç’rast numri i përgjithshëm i pasagjerëve arriti në 3,3 milionë, që përfaqëson një rritje vjetore prej 29 për qind. Kjo rritje u pasqyrua edhe në ranglistën e ACI-Europe, sipas së cilës Maqedonia e Veriut në gusht u rendit si tregu i dytë i aviacionit me rritjen më të shpejtë në Evropë. Do të dëshiroja t’i falënderoja sinqerisht punonjësit e aeroporteve për profesionalizmin, punën e palodhshme dhe përkushtimin e tyre, si dhe Qeverinë, kompanitë ajrore si partnerët tanë dhe të gjitha palët e interesuara që kontribuojnë në rritjen e vazhdueshme të sektorit të aviacionit në vend. 

Presim që ky trend pozitiv i rritjes mbresëlënëse dyshifrore të trafikut ajror të vazhdojë, por ambicia jonë shkon përtej rritjes së numrit të pasagjerëve. Jemi të përkushtuar për të kombinuar rritjen e qëndrueshme me ekselencën në cilësinë e shërbimeve dhe përvojën e pasagjerëve, me qëllim që aeroportet të vazhdojnë të përmbushin standardet më të larta ndërkombëtare – deklaroi drejtori i përgjithshëm i TAV Maqedoni, Nexhat Kurt.

Sipas statistikave të TAV Maqedoni, Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit ka shërbyer 3.065.692 pasagjerë në periudhën janar-shtator (rritje prej 29,07%) dhe 20.081 fluturime (rritje prej 8,46%), ndërsa Aeroporti “Shën Apostull Pali” në Ohër ka shërbyer 265.993 pasagjerë (rritje prej 26,76%) dhe 2.066 fluturime (rritje prej 27,06%) në nivel vjetor.

Caksimet (destinacionet) më të frekuentuara sipas trafikut të pasagjerëve nga aeroporti i kryeqytetit janë: Stambolli me 13,5% pjesëmarrje në treg (duke përfshirë të dy aeroportet – IGA dhe Sabiha Gökçen); Bazel-Mulhouse me 4,4%; Mynihu me 4,1%; Dortmundi me 4%; dhe Cyrihu me 3,8% të pjesës së tregut. 

Ndërkaq, pesë kompanitë ajrore kryesore në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit sipas trafikut të pasagjerëve në nëntë muajt e parë të vitit 2026 janë: Wizz Air (63,8%); Pegasus Airlines (9,4%); Turkish Airlines (4,6%); Ajet Airlines (3,5%) dhe Austrian Airlines (3,4%).

Në të njëjtën periudhë (janar-shtator), pesë destinacionet më të frekuentuara nga Aeroporti “Shën Apostull Pali” në Ohër sipas trafikut të pasagjerëve janë: Bratislava me 14,4% të pjesës së tregut; Bazeli (12,5%), Dortmundi (12,4%); Memmingen (11,7%) dhe Cyrihu (8,7%). Nëse analizohet trafiku i pasagjerëve në aeroportin e Ohrit sipas pjesëmarrjes së kompanive ajrore, ndarja e tregut është: Wizz Air (70%), Chair Airlines (8,7%); Turkish Airlines (5%); TUI (4,6%) dhe TUI UK (3%).

Në orarin aktual veror të fluturimeve për vitin 2026, i cili filloi më 29 mars dhe do të zgjasë deri në fund të tetorit, 15 kompani ajrore fluturojnë drejt 54 destinacioneve të rregullta, ndërsa 7 kompani ajrore shërbejnë 24 destinacione çarter nga dhe drejt aeroportit të Shkupit; njëkohësisht, nga aeroporti i Ohrit, 8 kompani ajrore fluturojnë drejt 17 destinacioneve (14 linja të rregullta/sezonale dhe 3 linja çarter). 

Me fillimin e orarit veror të fluturimeve, këtë vit u vendosën dhjetë destinacione të reja nga aeroportet e Shkupit dhe Ohrit. Ajo janë: Napoli, Budapesti, Palermo, Alghero, Trabzoni dhe Samsuni nga Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit, si dhe Milano, Vjena, Wroclawi dhe Katowice nga Aeroporti “Shën Apostull Pali” i Ohrit – saktësojnë nga TAV Maqedoni.

Rritja e vazhdueshme e trafikut ajror të pasagjerëve në aeroportet e vendit, siç theksojnë ata, konfirmohet edhe nga raporti më i fundit për trafikun ajror të Këshillit Ndërkombëtar të Aeroporteve – Evropë (Airports Council International-Europe) për muajin gusht 2026.

ACI-Europe i renditi aeroportet e Maqedonisë së Veriut si tregun e dytë të aviacionit me rritjen më të shpejtë në Evropë. Pas Sllovakisë, si vend anëtar i BE-së me një rritje të trafikut të pasagjerëve prej 61 për qind, aeroportet vendëse – si treg jashtë BE-së – shënuan një rritje prej 35 për qind (34,8%), me çka u renditën në majë sipas rritjes së trafikut të pasagjerëve në listën e ACI-Europe për vendet jashtë BE-së për muajin gusht 2026.

Pas aeroporteve të Shkupit dhe Ohrit, në vendin e dytë dhe të tretë mes tregjeve jashtë BE-së sipas rritjes së trafikut të pasagjerëve në gusht, ACI-Europe renditi Malin e Zi (28,6%) dhe Shqipërinë (20,7%), – potencojnë nga TAV Maqedoni.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër