Sofje, 08 tetor, Zhurnal.mk – Maqedonia e Veriut është e gatshme të lejojë ardhjen e mjekëve specialistë nga Bullgaria, të cilët do të mund të njihen me gjendjen shëndetësore dhe trajtimin mjekësor të Iva Mihajlovës, ka konfirmuar ministri i Punëve të Jashtme, Timço Mucunski, transmeton Zhurnal.mk.
Megjithatë, Mucunski ka theksuar se pushteti ekzekutiv nuk mund të ndërhyjë në procedurën gjyqësore ndaj Mihajlovës dhe në vendimet e organeve të drejtësisë.
“Kur bëhet fjalë për rastin e Iva Mihajlovës, ekzistojnë dy aspekte që duhet t’i ndajmë. I pari lidhet me procedurën gjyqësore për aktakuzën e ngritur. Dua të theksoj se, si vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, kur keni një sistem të bazuar në sundimin e ligjit dhe një sistem të vendosur të qeverisjes së mirë, nuk është detyrë e pushtetit ekzekutiv të ndërhyjë në vendimet që marrin organet gjyqësore”, tha Mucunski.
Ai sqaroi se kjo përfshin Prokurorinë dhe sistemin gjyqësor në vend, ndërsa vendimi për masën e paraburgimit është marrë nga sistemi gjyqësor dhe çdo çështje që lidhet me ligjshmërinë e paraburgimit mund të trajtohet vetëm në kuadër të procedurave gjyqësore.
Sipas Mucunski, aspekti i dytë lidhet me gjendjen shëndetësore të të akuzuarës, Iva Mihajlovës. Ai tha se sistemi shëndetësor i vendit siguron kujdes shëndetësor adekuat dhe bashkëkohor për çdo qytetar.
Mucunski bëri të ditur se Maqedonia e Veriut ka propozuar që mjekë specialistë nga Bullgaria të vijnë në vend dhe të verifikojnë se Mihajlovës i ofrohet trajtimi i duhur mjekësor.
“Ne e shohim këtë si një gjest të vullnetit të mirë. Kjo nuk është detyrimi ynë, por duhet të flas shumë hapur dhe drejtpërdrejt. Për shkak të mungesës së besimit që ekziston ndërmjet qeverive, duhet të fillojmë diku të ndërtojmë besimin”, tha ministri.
Ai theksoi se nuk mund ta komentojë procedurën gjyqësore dhe se institucionet duhet të lejojnë funksionimin e sistemit të sundimit të ligjit.
“Por nuk kemi asgjë kundër që t’u tregojmë përfaqësuesve mjekësorë nga Bullgaria se të akuzuarës i është siguruar trajtim adekuat mjekësor”, përfundoi Mucunski.//Zhurnal.mk
