Reshjet e dendura që prekën Stambollin shkaktuan përmbytje në të gjithë qytetin përfshirë edhe në Phoenix Studios në Sarıyer Ayazağa.
Niveli i ujit arriti afërsisht dy metra dhe energjia elektrike u ndërpre, duke bllokuar mbi 200 persona brenda studios, përfshirë këngëtarin Murat Boz dhe aktoren Demet Özdemir, të cilët u shpëtuan nga autoritetet duke u evakuuar me varkë.
Murat Boz, i cili kërkoi ndihmë nga autoritetet në një postim në llogarinë e tij në rrjetet sociale, deklaroi se automjetet po lundronin në ujë dhe se ata i kishin drejtuar punonjëset femra në katet e sipërme të ndërtesës.
Demet Özdemir, po ashtu bër thirrje për ndihmë në llogarinë e saj në rrjetet sociale.
Në përgjigje të raportit, ekipet e shpëtimit ndërhynë me varka në zonë, e cila ishte e paarritshme nga toka për shkak të niveleve të larta të ujit dhe rrymave të forta.
Në një postim që bëri në orët e para të mëngjesit, Murat Boz deklaroi se evakuimet kishin filluar, duke thënë: “Faleminderit shumë të gjithëve që ishin të shqetësuar, më telefonuan dhe më dërguan mesazhe. Jam ende brenda, jam mirë, mos u shqetësoni. Evakuimet kanë filluar dhe po vazhdojnë gradualisht. Ka shumë njerëz që presin të evakuohen me ne tani. Xhandarmëria dhe Roja Bregdetare janë këtu, falë Zotit, dhe po bëjnë përpjekje të mëdha për evakuimet. I falënderoj të gjithë shumë për përpjekjet e tyre. Shpresojmë që të gjithë të dalim shëndoshë e mirë me kolegët tanë që presin këtu deri në mëngjes. Ju lutemi na mbani në lutjet tuaja”.

Si rezultat i përpjekjeve të vazhdueshme, Murat Boz, Demet Özdemir dhe punonjës të tjerë të studios u shpëtuan duke u evakuuar me varka.
