Prishtinë, 15 tetor, Zhurnal.mk – Deputeti Lazar Radulloviq, nga Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, ka drejtuar akuza të forta ndaj Listës Serbe gjatë një fjalimi në Kuvendin e Kosovës, duke pretenduar se kjo parti është përpjekur ta pengojë zgjedhjen e tij si deputet dhe ta frikësojë përmes presioneve dhe sulmeve, raporton Ekonomia Online.
Radulloviq tha se ndiente obligim t’u përgjigjej deputetëve të Listës Serbe, të cilët, sipas tij, gjatë procesit zgjedhor iu drejtuan Gjykatës Supreme me ankesa që synonin të kontestonin kandidaturën e tij.
Ai përmendi gjithashtu një rast nga mandatet e mëparshme, kur një deputet i partisë së Nenad Rashiqit, sipas pretendimeve të tij, kishte kaluar në radhët e Listës Serbe vetëm pak ditë pasi ishte bërë pjesë e Kuvendit. Radulloviq pretendoi se ky ndryshim politik kishte ardhur si rezultat i joshjes dhe pagesës.
“Problemi i Listës Serbe është që mua nuk mund të më blejnë, e as të më frikësojnë”, deklaroi ai.
Gjatë fjalimit, deputeti serb foli edhe për vështirësitë me të cilat tha se ishte përballur kohëve të fundit, duke përmendur sulme fizike dhe shpërthimin e gomave të veturës së tij.
Ai theksoi se, pavarësisht këtyre zhvillimeve, nuk do të tërhiqet nga pozita e tij në Kuvend, duke shtuar se vetëm përmes dhunës ekstreme mund të largohet nga vendi që mban.
“E vetmja mënyrë që të më largoni nga ky vend është që të më gjuani me armë. Mënyra tjera nuk ka që mund të ma merrni vendin që e kam në këtë Kuvend”, u shpreh Radulloviq.
Në vijim, ai akuzoi Listën Serbe se vepron nën ndikimin e Beogradit, duke e cilësuar këtë subjekt politik si organizatë kriminale.
“Ju nuk po ju them juve, sepse ju jeni pionë që jeni të ulur këtu dhe i merrni porositë nga Beogradi, por organizata juaj kriminale është e gatshme për gjithçka”, deklaroi deputeti.
Në përfundim të fjalimit, Radulloviq përsëriti se nuk do të dorëzohet përballë presioneve dhe frikësimeve që pretendon se po përjeton.
