LSDM e akuzon Mickoskin për standarde të dyfishta: Pse nuk kërkon ekstradimin e Gruevskit nga Hungaria?

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Shkup, 17 tetor Zhurnal.mk – Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM) e ka akuzuar kryeministrin Hristijan Mickoski për standarde të dyfishta në rastet e Iva Mihailovës dhe ish-kryeministrit Nikolla Gruevski. Nga kjo parti pyesin pse Mickoski paralajmëron se rastin e Mihailovës do ta hapë para NATO-s dhe partnerëve evropianë, ndërkohë që ende nuk është dorëzuar një kërkesë e re për ekstradimin e Gruevskit nga Hungaria.

Zëdhënësja e LSDM-së, Bogdanka Kuzeska, deklaroi në konferencën e sotme për media se pushteti po përpiqet t’i shmanget përgjegjësisë për largimin e Mihailovës drejt Bullgarisë, pavarësisht masave gjyqësore që ia kufizonin lëvizjen.

“Skandali me lejimin e largimit të Iva Mihailovës zbuloi marrëveshjen e bërë fshehurazi, nën radar dhe nën tavolinë në Sofje. Mucunski u mor vesh, Toshkovski e lejoi, Mickoski e miratoi, kufiri është si djathë zviceran, ndërsa përgjegjësi nuk ka”, deklaroi Kuzeska.

Bëhet fjalë për akuza të partisë opozitare, për të cilat deri më tani nuk janë paraqitur publikisht prova se largimi i Mihailovës ishte rezultat i një marrëveshjeje mes autoriteteve maqedonase dhe atyre bullgare.

Kuzeska i kërkoi Mickoskit të shpjegojë pse nuk tregon të njëjtin vendosmëri për kthimin e Nikolla Gruevskit, i cili në vitin 2018 u arratis në Hungari, ku mori azil politik.

“Pse nuk ankohet, pse nuk kërkon me të njëjtën zë të lartë kthimin e tij nga Hungaria? Iva është e dyshuar, ndërsa Gruevski është i dënuar. Ku është kërkesa e re e paralajmëruar për ekstradimin e Gruevskit?”, pyeti zëdhënësja e LSDM-së.

Ajo rikujtoi se në maj të këtij viti, Ministria e Drejtësisë kishte paralajmëruar për kompletimin e dokumentacionit për një kërkesë të re për ekstradimin e ish-kryeministrit.

Sipas LSDM-së, pavarësisht paralajmërimeve dhe ndryshimit të pushtetit në Hungari, kërkesa e re ende nuk është dërguar.

“E vërteta është se ai e mbron Gruevskin dhe nuk dëshiron të kërkojë ekstradimin e tij”, akuzoi Kuzeska.

Ministria e Drejtësisë, gjatë muajve prill dhe maj, kishte informuar se po punonte për mbledhjen dhe kompletimin e dokumenteve të nevojshme nga gjykatat dhe prokuroritë. Kërkesa e mëparshme e Maqedonisë për ekstradimin e Gruevskit, e dorëzuar në vitin 2018 dhe e plotësuar në vitin 2019, ishte refuzuar nga Hungaria për shkak të azilit politik që i ishte dhënë.

Ndërkohë, Mickoski paralajmëroi se rastin e Iva Mihailovës do ta hapë para partnerëve të NATO-s dhe Bashkimit Evropian, duke vlerësuar se Bullgaria nuk duhet të bëhet strehë për personat që i shmangen përgjegjësisë penale në Maqedoni.

Mihailova, ndaj së cilës po zhvillohet procedurë gjyqësore në Koçan për një aksident trafiku me pasoja fatale, më 12 tetor u largua drejt Bullgarisë, pavarësisht se dokumentet e saj të udhëtimit ishin sekuestruar. Pas largimit të saj, gjykata caktoi masën e paraburgimit dhe u shpall fletarrest ndërkombëtar.

Autoritetet bullgare deklaruan se nuk mund ta ekstradojnë atë për shkak të shtetësisë së saj bullgare dhe kufizimeve që parashikon legjislacioni i tyre.

Mickoski i hodhi poshtë pretendimet e opozitës se largimi i Mihailovës ishte marrëveshur paraprakisht me Sofjen, duke theksuar se hetimi duhet të përcaktojë se si ajo arriti të largohej nga vendi.

Nga LSDM-ja, ndërkaq, kërkojnë përgjegjësi nga ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, si dhe shpjegime për lëshimet që i mundësuan Mihailovës të kalonte kufirin.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër