Tetovë, 18 tetor, Zhurnal.mk – Berat Reçani akuzon deputetin Bekim Qoku për mobing, bullizëm, presione dhe kërcënime, të cilat, sipas tij, kanë përfunduar me ndërprerjen e marrëdhënies së tij të punës.
Në materialin e dërguar, Reçani thotë se në mbështetje të pretendimeve të tij ka bashkëngjitur diplomën e magjistraturës në Shkencat Juridike, me notë mesatare 9,6, si dhe dy vendime për ndërprerjen e marrëdhënies së punës.
Në reagimin e tij, Reçani i drejtohet drejtpërdrejt deputetit Bekim Qoku, duke vënë në pah se mandatin parlamentar e ka fituar në Njësinë Zgjedhore numër 6, ku bën pjesë edhe Komuna e Gostivarit. Ai përmend gjithashtu origjinën e Qokut nga Komuna e Ohrit dhe vendbanimin e tij në Komunën e Strugës.
Reçani pretendon se gjatë marrëdhënies së punës është përballur me presione të vazhdueshme, me qëllim që të jepte dorëheqje. Sipas versionit të tij, pasi nuk pranoi të largohej vullnetarisht nga puna, ndaj tij u ndërmorën veprime administrative që përfunduan me ndërprerjen e marrëdhënies së punës.
Ai e akuzon Qokun se vendimi është marrë mbi bazën e, siç i cilëson ai, shpifjeve, manipulimeve dhe akuzave të fabrikuara, me qëllim dëmtimin e reputacionit dhe diskreditimin e tij profesional.
Në reagimin e tij, Reçani shpreh pakënaqësi të thellë ndaj mënyrës se si, sipas tij, është trajtuar rasti, duke e krahasuar atë me praktikat e sistemeve jodemokratike. Ai thekson se arritjet e tij akademike dhe profesionale nuk mund të zhvlerësohen nga vendimet administrative për ndërprerjen e marrëdhënies së punës.
“Jo, 2 vendime, por edhe me 2000 vendime administrative të miratoni për ndërprerje të marrëdhënies së punës së një magjistri të Shkencave Juridike me notë mesatare 9,6”, thuhet në reagimin e tij.
Reçani gjithashtu shpreh bindjen se funksionet publike dhe privilegjet politike nuk janë të përhershme, duke ngritur pretendime për favorizime në baza personale dhe klanore.



