Shkup, 18 tetor Zhurnal.mk – Çanta në shpinë, por a është barra tepër e rëndë për supet e vogla? Çdo ditë, nxënësit e shkollave fillore mbajnë me vete libra e fletore, por ajo që duhet t’i ndihmojë në rrugën drejt dijes, mund të kthehet në shqetësim për shëndetin e tyre thotë mjeku ortoped, Ismail Veliu. Ai ngre alarmin për këtë problem, duke theksuar se çdo ditë shohim se pesha e çantave është totalisht në disproporcion me peshën e nxënësve.
“Si mjek ortoped ne këtë e shohim jo thjeshtë si problem të momentit, por rrezik real për zhvillimin e trupit të tyre. Shtylla kurrizore e një fëmije është si një pemë e re që rritet. Ajo është fleksibile por njëkohësisht dhe shumë e ndjeshme ndaj ngarkesave të jashtme.”, u shpreh për TVM2 mjeku ortoped, Ismail Veliu.
Pesha e tepërt e çantave shkollore mund të shkaktojë dhimbje në shpinë, qafë dhe shpatulla, si dhe të ndikojë në qëndrimin e trupit gjatë ecjes. Kur çanta është tepër e rëndë, fëmijët mund të detyrohen të përkulen përpara ose të ndryshojnë mënyrën e ecjes për të kompensuar ngarkesën. Për këtë arsye, Ismaili thotë se pesha e çantës duhet të jetë në përpjesëtim me peshën trupore të fëmijës dhe që brenda saj të mbahen vetëm materialet e nevojshme për ditën mësimore.
“Skolioza ka shkaqe të tjera dhe ato janë gjenetike apo idiopatike megjithatë çanta e rëndë shkakton atë që ne e quajmë deformim postural ose qëndrim të keq të trupit. Kur çanta rëndon shumë fëmijët instinktivisht në mënyrë kompenzatore përkulen përpara për të mos rënë mbrapa. Nëse fëmija e mban çantën vetëm në njërin sup, trupi anohet në njërën anë me çrast me kalimin e kohës ky stres i përditshëm i muskujve i lodh muskujt e shpinës, i bën ata të ngurtë. Kjo sjell dhimbje kronike të shpinës dhe qafës të cilët e ndjekin fëmijën edhe në moshë të rritur.”, tha Veliu për TVM2.
Edhe pse nuk konsiderohet shkaktar i drejtpërdrejtë i deformimeve të shtyllës kurrizore, siç është skolioza, mbajtja e çantave shkollore me peshë të tepërt mund të shkaktojë shqetësime dhe dëmtime afatgjata te fëmijët. Për këtë arsye, Ismaili u bën thirrje prindërve që të tregojnë kujdes të shtuar dhe të mos neglizhojnë asnjë ndryshim në qëndrimin trupor apo ankesë të fëmijëve, duke theksuar rëndësinë e identifikimit me kohë të problemeve të mundshme.
