Tiranë, 19 tetor, Zhurnal.mk – Kryeministri Edi Rama ka përsëritur sot thirrjen për dialog me protestuesit adresuar disa organizatave të shoqërisë civile në vend.
Ai ka kërkuar të distancohen nga aktet e dhunës, hedhja e gurëve dhe zjarrvënia ndaj institucioneve.
Rama nënvizon se qeveria është e gatshme të zhvillojë bisedime në çdo kohë dhe pa kushte, ndërsa u bëri thirrje organizatorëve të japin shembullin e dialogut dhe të mbështesin protestat paqësore.
Kreu i Ekzekutivit shprehet se mbrojtja e jetës, dinjitetit të qytetarëve dhe sigurisë së vendit duhet të jetë prioritet.
Reagimi i plotë i Kryeministrit Rama:
“Jepeni ju të parët shembullin e dialogut dhe për sa i takon qeverisë ne do të jemi aty.
E ndërkohë distancohuni qartë nga dhuna, gurët, zjarrvënia e institucioneve, keqpërdorimi i të miturve, që të ndihmoni kësisoj edhe protestuesit paqësorë të ushtrojnë të drejtën e tyre, e cila nuk rrezikohet nga policia po nga dhunuesit që i prijnë maskaradës pseudo-studentore
Dhe po, të respektojmë të gjithë bashkë të drejtën e protestës paqësore.
Ta mbrojmë të gjithë bashkë jetën dhe dinjitetin e çdo personi.
Asnje jetë nuk duhet vënë në rrezik dhe asnjë lojë nuk duhet bërë me jetën e vendit
Bujrum, DIALOG. Ku të doni. Kur të doni. Pa kushte”.

