Halil Snopçe: Studeniçani me 22 mijë banorë pa asnjë çerdhe publike funksionale, Qeveria refuzoi amendamentin

Nga R.ZH
A+ A-
Rivendos

Shkup, 19 tetor, Zhurnal.mk – Deputeti i Aleancës për Shqiptarët ka ngritur në Kuvend çështjen e mungesës së një çerdheje publike funksionale në Komunën e Studeniçanit, duke kërkuar përgjigje nga ministri i Politikës Sociale se kur do të zgjidhet ky problem, përcjell zhurnal.mk.

Nga foltorja e Kuvendit, deputeti ka theksuar se Studeniçani, me rreth 22 mijë banorë, nuk ka asnjë çerdhe publike funksionale, duke e cilësuar këtë situatë si problem që kërkon zgjidhje konkrete nga institucionet.

Sipas tij, Aleanca për Shqiptarët kishte propozuar ndërtimin e një çerdheje në këtë komunë përmes një amendamenti në rebalancin e buxhetit, por propozimi ishte refuzuar nga Qeveria.

“Ndërkohë, flitet për miliona euro investime dhe dhjetëra çerdhe në nivel shtetëror. Por ku është Studeniçani në këto plane? A nuk kanë të drejtë edhe fëmijët e kësaj komune për kushte të barabarta?”, ka deklaruar deputeti.

Ai ka kritikuar refuzimin e amendamentit, duke theksuar se mungesa e infrastrukturës parashkollore ndikon drejtpërdrejt te fëmijët dhe familjet e komunës.

“Fëmijët nuk mund të presin, ndërsa Qeveria refuzon zgjidhjet konkrete”, ka theksuar ai.

Deputeti i ASH-së ka kërkuar përgjigje të qarta nga ministri përgjegjës lidhur me arsyet e refuzimit të amendamentit dhe afatin kur planifikohet ndërtimi i një çerdheje publike në Studeniçan.

Në përfundim, ai ka nënvizuar se kujdesi për fëmijët duhet të jetë përgjegjësi e institucioneve shtetërore dhe jo çështje e lidhur me përkatësinë apo interesat politike.

“Sepse kujdesi për fëmijët nuk është privilegj politik. Është përgjegjësi shtetërore!”, ka përfunduar deputeti.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër