Mbi 5 tonë ushqime të pasigurta konfiskohen dhe asgjësohen në Shkup
Shkup, 19 tetor Zhurnal.mk – Javën e kaluar, gjatë aksioneve të zhvilluara në Tregun e Gjelbër të Shkupit dhe në tregun e lagjes Gjorçe Petrov, janë konfiskuar dhe asgjësuar mbi 5 tonë ushqime të pasigurta.
Bëhet fjalë kryesisht për fruta dhe perime që shiteshin në mënyrë të paligjshme, jashtë hapësirave të tregut, duke rrezikuar drejtpërdrejt sigurinë e konsumatorëve dhe duke dëmtuar konkurrencën në treg, në dëm të prodhuesve bujqësorë dhe tregtarëve që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në mënyrë të ligjshme.
Kontrollet po zhvillohen në koordinim me Inspektoratin Komunal të Qytetit të Shkupit, Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Inspektoratin Shtetëror të Tregut, me qëllim parandalimin e tregtisë së paligjshme dhe garantimin e kushteve ligjore për shitjen e ushqimeve.
