Shkup, 20 tetor, Zhurnal.mk – Zëvendëskryetari i Qeverisë dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikoloski, sot zhvilloi një takim pune me kryetarin e Komunës së Karposhit, Sotir Lukrovski, në të cilin biseduan për realizimin e projekteve kapitale që zbatohen përmes Qeverisë, në bashkëpunim me Komunën.
“Përmes dy thirrjeve që tashmë janë aktive, mbështetja për Komunën e Karposhit nga ana e Qeverisë është rreth 11 milionë euro, nga të cilat drejtpërdrejt përmes Ministrisë së Transportit realizohen rreth 5,5 milionë euro. Nuk ka pjesë të komunës ku nuk punojmë, ku nuk zgjidhim probleme infrastrukturore, dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë edhe në periudhën e ardhshme”, theksoi Nikoloski.
Zëvendëskryeministri paralajmëroi bashkëpunim dhe mbështetje të re për Komunën e Karposhit.
“U dakorduam për një cikël të ri investimesh, ku do të ndihmojmë në realizimin e shesheve, në realizimin e rrugëve, të kanalizimit atmosferik, kanalizimit fekal dhe rregullimin e hapësirave aty ku është më e nevojshme në komunë. Gjithashtu, siç tha kryetari i komunës, biseduam për zgjidhjen e rrëshqitjeve të dheut, veçanërisht në pjesën që shtrihet drejt lagjeve Kozle, më tej Trnodoll dhe Zhdanec, me qëllim që e gjithë ajo hapësirë të sanohen”, deklaroi Nikoloski.
Në takim u diskutua edhe për vendet e parkimit, si një nga sfidat e komunës.
“Në periudhën e ardhshme, një nga sfidat kryesore është zgjidhja e problemit të parkimit, veçanërisht në pjesën e lagjeve Karposh 1, Karposh 2, Karposh 3 dhe Karposh 4. Këtu po punojmë së bashku me Ndërmarrjen Publike për Menaxhimin e Hapësirës Banesore dhe Afariste, për gjetjen e një zgjidhjeje të integruar, e cila duhet të nënkuptojë zgjidhjen e problemit të parkimit përmes ndërtimit të garazheve shumëkatëshe që do të jenë të qasshme për qytetarët, si dhe parkimit nëntokësor, përkatësisht garazheve shumëkatëshe nëntokësore, të cilat nga njëra anë do të mundësojnë gjelbërim dhe parqe, ndërsa nga ana tjetër do të zgjidhin problemin e parkimit.
Këto projekte po i zhvillojmë së bashku me komunën dhe me Ndërmarrjen Publike për Menaxhimin e Hapësirës Banesore dhe Afariste. Aty ku ka nevojë ose ku projektet tashmë janë drejt përfundimit, do të fillojmë me realizimin e tyre, ndërsa në vendet e tjera po punojmë për hartimin e projekteve. Pres që gjatë dy deri në tre viteve të ardhshme, i gjithë problemi i parkimit në Komunën e Karposhit të zgjidhet në këtë mënyrë”, shtoi zëvendëskryeministri Nikoloski.
