Tabaku në Bllokun e Sigurisë: 250 të mitur mes të arrestuarve e të shoqëruarve

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 21 tetor, Zhurnal.mk – Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku pas një vizite në Bllokun e Sigurisë, tha sot se mbi 1 mijë të rinj janë arrestuar e shoqëruar gjatë këtyre nëntë ditëve protestë.

“250 prej tyre janë të mitur, të cilët nuk janë kursyer nga dhuna barbare, nga goditjet dhe tërheqjet, edhe në momentin kur janë identifikuar si të mitur”, tha ajo.

Gjatë vizitës, Tabaku tregoi se kishte takuar dy 14-vjeçarë të cilët, sipas saj, thjesht kanë qenë në një cep të protestës, pa ushtruar dhunë, me duar në xhepa, të cilët edhe ata nuk janë kursyer.

“Dhe i pyesin se përse protestojnë?! Të rinjtë sot protestojnë pikërisht kundër kësaj dhune, kundër këtij përqendrimi pushteti. Kërkojnë një Shqipëri më të mirë. Protestojnë për kushtet ekonomike të familjes, për meritokracinë e munguar, për më shumë mundësi, për një arsim më të mirë. Ata sot po bëhen zëri i një Shqipërie që duhet patjetër të ngrihet. Një Shqipërie që sot flet me zërin e tyre, ka dalë në rrugë me të rinjtë dhe po merr gjithmonë e më shumë mbështetje”, theksoi Tabaku.

Deputetja e PD-së u shpreh se “dhuna barbare e policisë, tërheqjet në mes të rrugës ndaj vajzave, ndaj të miturve, ndaj kujtdo, pa iu dridhur syri, tregojnë vetëm që Shqipëria sot është gjithçka përveçse europiane”.

“Nuk mund t’i kërcënosh të rinjtë me bursa. Nuk mund t’i kërcënosh mësuesit me rroga. Nuk mund t’i motivosh e t’i shpërblesh policët vetëm përse ushtrojnë dhunë. Kjo nuk është Shqipëria europiane. Dhe këta të rinj po kërkojnë pikërisht një Shqipëri të tillë: një Shqipëri europiane” tha Tabaku.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër