Fotografitë e reja të Christopher Schwarzeneggerit, djalit 29-vjeçar të aktorit dhe ish-kulturistit Arnold Schwarzenegger, kanë tërhequr vëmendjen për shkak të transformimit të tij të jashtëzakonshëm fizik.
Christopher është fotografuar më 18 tetor në Los Angeles, teksa shëtiste me nënën e tij, Maria Shriver, dhe të dashurën. Pamja e tij dukshëm më e dobët dhe fiziku më i tonifikuar kanë bërë që shumëkush të vërejë ndryshimin e madh në paraqitjen e tij.
Prej një kohe, ai ka ndryshuar dukshëm në pamje, aq sa në fotografitë e fundit është vështirë të njihet krahasuar me imazhet e mëparshme.
Christopher ka treguar se përpjekjet për të humbur peshë kanë nisur që gjatë viteve të shkollës së mesme, kur provoi dieta të ndryshme, por pa arritur rezultate afatgjata. Ai ka pranuar se ndihej në siklet kur merrte me vete në shkollë ushqime të përgatitura posaçërisht për dietën e tij.
Një pikë kthese erdhi në vitin 2019, kur kuptoi se pesha po e kufizonte në aktivitetet e përditshme dhe po e pengonte të bënte gjëra që dëshironte.
“Thjesht e kuptova se pesha po më pengonte të bëja gjëra të zakonshme të përditshme”, kujtoi ai gjatë samitit “Beacher Vitality Happy & Healthy” në vitin 2025. “Mendova: ‘Nuk mund të hidhem me parashutë’”, shtoi Christopher.
Për të humbur peshë, ai provoi mënyra të ndryshme të të ushqyerit dhe të ushtruarit fizik. Programi i tij përfshinte ngritjen e peshave, boksin dhe ecjet në natyrë, përfshirë ngjitjet malore.
Gjatë Kreshmëve, si katolik i devotshëm, ai vendosi të hiqte bukën nga menyja e tij. Sipas deklarimeve të veta, vetëm nga ky ndryshim humbi afro 14 kilogramë.
Sipas raportimeve të “Page Six”, që nga fillimi i transformimit të tij në vitin 2019, Christopher ka humbur rreth 113 kilogramë.
“Ky nuk është një ndryshim që ndodh brenda natës. U deshën shumë përpjekje, prova dhe gabime”, ka treguar ai, duke theksuar se ende nuk e konsideron të përfunduar rrugëtimin e tij.


