Ismaili: Protesta e studentëve pengmarrje politike nga Berisha, qeveria e hapur për dialog

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 22 tetor, Zhurnal.mk – Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili e cilësoi sot protestën e studentëve pengmarrje politike nga Sali Berisha dhe Partia Demokratike, si një orvatje për të ardhur në pushtet.

Në një reagim në rrjetet sociale, Ismaili tha se “sot Saliu na tha se protestat i ka iniciuar Forumi i të Rinjve Demokratë. Sa keq! Të rinj demokratë, në qoftë se do të bëheni si mësuesi, do merrni rezultatet e mësuesit. Mos lejoni që të mbaheni mend si protestuesit që plaçkitën dyqane, morën telefona, bizhuteri, para, pije e çfarë u doli përpara, por kur mësynë librarinë, nuk morën asnjë libër”.

“Në statistikat gjatë këtyre ditëve, 192 janë efektivë të lënduar, 96 janë protestues dhe 36 janë kalimtarë. 101 organizata, celula nëpër botë janë duke organizuar në të gjithë Evropën protesta të dhunshme, me qëllim krijimin e destabilitetit dhe më keq akoma në Shqipëri, me shpresën se do të frenojnë a pengojnë rrugën e Shqipërisë drejt BE-së”, thekson Ismaili.

Ministrja Ismaili u shpreh se “çudi se si për çdo kapitull të mbyllur të Shqipërisë me Bashkimin Evropian, ju hapni një kapitull të ri dhune”, u shpreh ajo, ndërsa e cilësoi pretendimin për heqjen e non gratës së Berishës “një gënjeshtër që vetëm ju mund ta besoni”.

Duke u bërë thirrje studentëve të mos përdoren për qëllime politike, ministrja rikujton faktin se qeveria mbetet e hapur për dialog.

“Dy fjalë në fund i kam për studentët, ata të vërtetët, ata që e duan vendin e tyre, ata që nuk reshtin së kërkuari më shumë e më mirë, ata që me ambicien e tyre e shtyjnë edhe qeverinë të bëjë më shumë e më mirë, ata që shërbejnë si ‘check and balance’. Qeveria është e hapur për dialog. Kryeministri është i hapur për dialog. Mos lejoni që t’ju përdorin për të bërë presion për të marrë a negociuar një pushtet që nuk e fituan dot me vota”, tha ministrja.

Duke iu drejtuar prindërve, Ismaili u shpreh, “mos i lejoni fëmijët tuaj minorenë të përdoren si mish për top në vijë të parë, duke i ushqyer me urrejtje kundër policëve, kundër shtetit, kundër institucioneve. Shqipëria nuk e ka luksin të humbasë asnjë ditë dhe nuk kthehet pas. Tashmë kemi hipur në një tren ku destinacioni i vetëm i ndalesës së Shqipërisë është Bashkimi Evropian. Mandati është 4-vjeçar dhe i tillë do të konsumohet. Korbat e ndiejnë vdekjen politike, ndaj mes agonisë dijeni se koha për të futur hundët e duart e gjakosura në punët e Shqipërisë europiane ka mbaruar”.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër