Tiranë, 22 tetor, Zhurnal.mk – Kryetarja e Komisionit të Apelimit në Partinë Demokratike, Adriana Kalaja, tha sot se PD ka depozituar në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kallëzim për dhunën e ushtruar ndaj protestuesve.
Kalaja tha se “në mbështetje të rinisë studentore dhe gjimnazistëve, Partia Demokratike ka depozituar një kallëzim penal në SPAK, kundër Ministrit të Brendshëm; Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit; Drejtorit të Policisë Tiranë; Drejtuesit të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore; dhe Drejtuesve të Komisariateve Nr. 1, Nr. 2, Nr. 3, Nr. 4 dhe Nr. 6 të Tiranës, dhe çdo personi të pa identifikuar deri më tani, që ka ushtruar dhunë ndaj protestuesve dhe gazetarëve, në protestë apo gjatë shoqërimit dhe brenda komisariateve, si dhe çdo person tjetër që, me veprimet apo mosveprimet, rezulton që ka përgjegjësi penale për dhunën brutale të ushtruar ndaj protestuesve”.
Sipas saj, kallëzimi ka si objekt veprat penale “Vrasje e mbetur në tentativë”, “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Kryerja e veprimeve arbitrare”, “Mosmarrja e masave për të ndërprerë veprimet e paligjshme”, “Shkelja e barazisë së shtetasve”, “Pengimi në të drejtën për t’u shprehur, grumbulluar apo manifestuar”, “Veprime që pengojnë zbardhjen e së vërtetës”, dhe “Përdorimi i dhunës gjatë hetimeve”, të gjitha veprimet të kryera “në bashkëpunim”.
“Përveçse nuk kemi ende asnjë rast të nisjes kryesisht të hetimeve, pavarësisht se dhuna barbare dhe çnjerëzore kundër të rinjve shihet në çdo raportim mediatik, nuk është bërë ende asnjë veprim hetimor lidhur me kallëzimin tonë të 14 tetorit”, tha ajo.
Gjithashtu ajo tha se “PD sot ka depozituar një kallëzimin shtesë penal kundër kryeministrit Edi Rama me vepra penale shtesë “gjenocide ndaj popullatës” dhe “ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj zyrtarëve që kryejnë një funksion publik””.
“Presim nga SPAK dhe prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm që të kenë kurajon dhe të fillojnë hetimet “kryesisht” për dhunën barbare ndaj të rinjve protestues, dhe të hetojnë referuar kallëzimeve tona penale”, tha ajo.
