Ministri Ferati dhe ambasadorja Axinte diskutojnë të drejtat e bashkësive dhe ruajtjen e kulturës vllehe

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Shkup, 23 tetor, Zhurnal.mk – Ministri Agon Ferati dhe Ambasadorja e Rumanisë, Adela Monica Axinte diskutuan gjatë një takimi miqësor avancimin e bashkëpunimit bilateral në raport me mbrojtjen e të drejtave të të gjitha bashkësive në Republikën e Maqedonisë së Veriut si dhe ruajtjen e traditave, gjuhës, kulturës dhe trashëgimisë së bashkësisë vllehe në vend. Bashkëbiseduesit i vlerësuan lartë marrëdhëniet e shkëlqyeshme bilaterale ndër vite si dhe partneritetin e dy vendeve mike dhe aleate në Aleancën Veri-Atlantike si dhe gatishmërinë e Rumanisë për ta ndarë përvojën e saj të përafrimit me Bashkimin Evropian.

Ministri Ferati e njoftoi ambasadoren Axinte për punën e ministrisë, ndërtimin e mirëbesimit, promovimin e vlerave dhe të bashkëpunimit e të aktiviteteve të ndryshme, veçanërisht me të rinjtë. Ai theksoi se, edhe pse ka marrë udhëheqjen e ministrisë vetëm para tre muajsh, është shënuar përparim i dukshëm në disa fusha, përfshirë edhe në bashkëpunimin me mediat me qëllim uljen e tensioneve dhe parandalimin e gjuhës së urrejtjes.
Ambasadorja e Rumanisë shprehu kënaqësinë për punën e ministrisë, por edhe brengosje për numrin e ulët të nxënësve të bashkësisë vllehe që ndjekin mësim në gjuhën e tyre amtare edhe për shkak të numrit të vogël të mësimdhënësve. Ministri e siguroi ambasadoren se do të mirëpresë propozime nga ambasada e Rumanisë, bashkësia vllehe, si dhe nga shoqëria civile me qëllim inkurajimin e fëmijëve vllehë për ta mësuar gjuhën amëtare dhe për të promovuar kulturën dhe traditat e kësaj bashkësie etnike.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër