Shkup, 23 tetor, Zhurnal.mk – Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, ka përcjellë një mesazh me rastin e 23 Tetorit – Ditës së Luftës Revolucionare Maqedonase, duke theksuar rëndësinë e kujtimit dhe vlerësimit të sakrificës së brezave që kontribuuan në përpjekjet për krijimin e shtetit.
Në mesazhin e saj drejtuar qytetarëve, Siljanovska-Davkova ka përmendur Kryengritjen e Ilindenit dhe komitët, duke vënë në pah se historia e çlirimit dhe e shtetësisë nuk mund të kuptohet pa sakrificën e atyre që luftuan për realizimin e ëndrrës për një shtet kombëtar.
“Nuk mund të flasim për çlirimin e atdheut, pa përmendur apo pa vlerësuar sakrificën sublime të atyre që, me përpjekje mbinjerëzore, u munduan, por nuk arritën ta realizonin ëndrrën për një shtet kombëtar”, thuhet në mesazhin e presidentes.
Ajo ka theksuar gjithashtu se kremtimi i shtetësisë duhet të shoqërohet me respektimin e përkushtimit dhe sakrificës së brezave që hodhën themelet e saj dhe dhanë jetën për këtë ideal.
“Nuk mund ta kremtojmë shtetësinë, duke harruar përkushtimin dhe sakrificën e brezave që hodhën themelet e saj dhe i flijuan jetët e tyre për të”, ka theksuar Siljanovska-Davkova.
23 Tetori shënohet në Maqedoninë e Veriut si Dita e Luftës Revolucionare Maqedonase dhe lidhet me themelimin e Organizatës Revolucionare Maqedonase në Selanik, më 23 tetor 1893.
