CNN: Zelensky: Mosmarrëveshjet me Trump nuk janë personale, aleatët të mos heqin sanksionet ndaj Rusisë

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Uashington, 23 tetor, Zhurnal.mk – Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky i ka kërkuar presidentit amerikan, Donald Trump, të mos bëjë lëshime të tjera ndaj Rusisë.

Në një intervistë për televizionin amerikan CNN, Zelensky paralajmëroi se heqja e sanksioneve do ta forconte më shumë Moskën.

“Qëndrimi im ndaj Putinit është shumë i qartë. Mendoj se nëse heqim sanksionet, do ta bëjmë atë më të fortë”, tha Zelensky.

Ai theksoi se mosmarrëveshjet me presidentin amerikan nuk janë çështje personale dhe se kundërshton çdo vendim për heqjen e sanksioneve ndaj Rusisë.

Marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Ukrainës janë përkeqësuar ndjeshëm javët e fundit.

Zelensky deklaroi më herët se Trump ishte “në anën e gabuar të historisë”, pasi presidenti amerikan arriti një marrëveshje për naftën me presidentin rus, Vladimir Putin, dhe hoqi disa sanksione ndaj Rusisë.

Ndërkohë, janë publikuar edhe raportime se Elon Musk, themeluesi i kompanisë SpaceX, kishte urdhëruar kufizimin e shërbimit të internetit satelitor “Starlink”, i cili ka rëndësi të madhe për ushtrinë ukrainase.

Zelensky tha se tensionet mes Ukrainës dhe SHBA-së nuk lidhen me persona të veçantë, por me çështje më të gjera.

Ai paralajmëroi gjithashtu se Putini nuk ka ndërmend t’i japë fund luftës.

Presidenti ukrainas e cilësoi si të dobishëm takimin me të dërguarin amerikan për negociatat, Steve Witkoff, në Oslo, por tha se nuk është i bindur se Putini dëshiron vërtet paqen. Kievi u godit dje gjithashtu nga sulmet ruse.

Zelensky: Aleatët nuk duhet të heqin sanksionet

“Nëse i jepni diçka Putinit, ai do të kërkojë gjithçka. Ai do të dojë gjithçka”, deklaroi Zelensky, duke shtuar se pret që partnerët e Ukrainës të mos i japin presidentit rus mundësinë për të forcuar më tej pozitat e tij.

Sipas Zelensky, Putini e trajton luftën si një lojë, por në të vërtetë po luan me jetët e njerëzve.

Presidenti ukrainas rikonfirmoi se Ukraina është e gatshme të ndalojë luftimet përgjatë vijave aktuale të frontit, si një hap drejt armëpushimit dhe ndalimit të vrasjeve.

Kjo do t’u krijonte mundësinë të dyja palëve të uleshin në tryezën e bisedimeve.

Megjithatë, ai bëri të qartë se Ukraina nuk pranon të dorëzojë territoret që aktualisht kontrollon.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër