Rinia e LSDM-së reagon: “Steve Naumov” nuk zgjati as një muaj, lagështia ka depërtuar kudo dhe uji rrjedh nga të gjitha anët

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Shkup, 23 tetor, Zhurnal.mk – Rindërtimi i konviktit studentor “Steve Naumov” nuk zgjati as një muaj, akuzojnë nga Rinia Socialdemokrate e Maqedonisë (SDMM). Nënkryetari i organizatës, Bojan Cvetanoski, përmes një video-adresimi, vuri në dukje kushtet katastrofike në konvikt pas shpenzimit të 10 milionë eurove.

Sipas SDMM-së, studentët po përballen me lagështi, ujë që rrjedh nga të gjitha anët, mungesë të ngrohjes dhe ujit të ngrohtë.

“A nuk duhej që ‘Steve’ të ishte një hotel i kategorisë A? A duket kështu një hotel i kategorisë A, me dhoma që pikojnë dhe me lagështi nëpër mure? U shpenzuan 10 milionë euro, por në vend të kushteve më të mira, studentët nuk kanë as kushtet bazë për jetesë! Për çfarë u shpenzuan milionat? Ku përfunduan paratë? Përsëri në tenderë të dyshimtë partiakë? Është e qartë se më e rëndësishme është të sigurohen automjete me leasing, sesa të garantohen kushte dinjitoze për studentët”, thekson Cvetanoski.

Nga rinia e LSDM-së bëjnë të ditur se participimi për akomodim është rritur dyfish dhe pyesin pse studentët paguajnë 6.600 denarë në muaj për “dhoma që pikojnë dhe kushte mizore”.

SDMM-ja kërkon përgjegjësi të menjëhershme, verifikim dhe publikim të plotë të të gjitha shpenzimeve dhe kontratave që lidhen me projektin.

“Në ditën e VMRO-së, kjo është një porosi nga të rinjtë për hajdutët në pushtet: do të mbani përgjegjësi! Për çdo denar të shpenzuar duhet të ketë llogaridhënie”, porosisin nga SDMM-ja.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër