Shkup, 23 tetor, Zhurnal.mk – Zëvendëskryetari i parë i Qeverisë dhe ministër për Çështje Evropiane, Bekim Sali, në kuadër të vizitës së tij të punës në Bruksel, zhvilloi takim bilateral me komisioneren evropiane për zgjerim, Marta Kos.
Në fokus të takimit, siç njofton MÇE, ishin perspektiva evropiane e Maqedonisë së Veriut, zhvillimet e fundit në politikën e zgjerimit të Bashkimit Evropian, zbatimi i Agjendës së Reformave dhe mundësitë për integrim më të shpejtë dhe gradual në politikat dhe programet evropiane.
Sali përshëndeti komunikimin e Komisionit Evropian, “Preparing for a Wider Union”, duke theksuar rëndësinë e një procesi zgjerimi më të parashikueshëm, të bazuar në merita dhe në rezultate të matshme.
“Integrimi evropian nuk duhet të mbetet vetëm një perspektivë politike. Ai duhet të përkthehet në mundësi reale për qytetarët, ekonominë dhe bizneset tona. Reformat që zbatojmë duhet të na afrojnë gradualisht me tregun, programet dhe politikat e Bashkimit Evropian”, theksoi Sali.
Në takimin bashkëbiseduesit u përëqndruan edhe në zbatimin e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor dhe Agjendës së Reformave. Ministri nënvizoi se Maqedonia e Veriut mbetet e përkushtuar ndaj reformave në sundimin e ligjit, administratën publike, digjitalizimin, energjinë dhe konkurrueshmërinë ekonomike.
Vëmendje e veçantë iu kushtua përfitimeve të prekshme të integrimit gradual, përfshirë pjesëmarrjen në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA), mundësinë e zgjerimit të modelit “Roam Like at Home” dhe bashkëpunimin në fushën e transformimit digjital.
Ministri Sali theksoi gjithashtu rëndësinë e Kornizës së ardhshme Financiare Shumëvjeçare 2028–2034, e cila duhet të sigurojë mbështetje të qëndrueshme, të parashikueshme dhe të orientuar drejt rezultateve për vendet kandidate.
Në kuadër të vizitës, komisionerja Marta Kos realizoi një intervistë të posaçme për përfaqësuesit e mediave nga Maqedonia e Veriut, duke ofruar mundësi për komunikim të drejtpërdrejtë me publikun mbi procesin e zgjerimit dhe perspektivën evropiane të vendit.
Ministria për Çështje Evropiane mbetet e përkushtuar ndaj bashkëpunimit të ngushtë me institucionet evropiane, me qëllim përshpejtimin e reformave dhe shndërrimin e procesit të integrimit në rezultate konkrete për qytetarët.
