Prishtinë, 23 tetor, Zhurnal.mk – Me përplasje mes deputetit të PDK-së, Eman Rrahmani, dhe ministrit të Financave, Hekuran Murati, u përcoll mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, ku në fokus ishte çështja e pagesës së 80 punonjësve të strukturave paralele, raporton Ekonomia Online.
Debati nisi pasi deputeti Rrahmani e pyeti ministrin se kush ua kishte paguar pagat këtyre punonjësve, ndërsa Murati ia atribuoi përgjegjësinë PDK-së, duke pretenduar se rikthimi i tyre në punë ishte bërë me vendim të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMSHCK).
“Distancona prej qeverisë që e ka nënshkru marrëveshjen në Bruksel për integrimin e strukturave paralele. Prej asaj distancona”, tha Murati, duke iu drejtuar deputetit të PDK-së.
Rrahmani reagoi duke e akuzuar ministrin për pagesat ndaj këtyre punonjësve.
“Ti i ke pagu pa pare”, iu përgjigj ai.
Në kundërpërgjigje, Murati tha se punonjësit fillimisht ishin përjashtuar nga puna nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, por më pas ishin rikthyer me vendim të KPMSHCK-së.
“I ka pagu Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, ka vendos me i përjashtu nga puna. A e din kush i ka kthy në punë dhe ka dhënë urdhër me i pagu? KPMSHCK-ja, ai anëtari që tha ‘jam me PDK’, ai i ka pagu”, deklaroi Murati.
Rrahmani i hodhi poshtë pretendimet e ministrit, duke e akuzuar atë për gënjeshtër.
“Je tu gënjy”, tha deputeti i PDK-së.
Ai më pas ngriti pretendime për shumën e pagave të paguara, duke e akuzuar ministrin se po mbronte pagesat për strukturat që i cilësoi terroriste.
“Mos u skuq, mos u zverdh, se ke pagu strukturat terroriste, mbi 500 mijë euro për vitin 2025”, deklaroi Rrahmani.
Murati vazhdoi ta lidhte përgjegjësinë për rikthimin e punonjësve në punë me PDK-në, duke pretenduar se personat që i kishin futur në listën e pagave ishin të lidhur me këtë parti.
“Ata që i kanë shti në listë të pagave ata persona i ki në parti, bashkëpartiakë i ki. Ajo parti që i ka shti në listë të pagave të strukturave paralele, ajo parti e ka marrë vendimin me i kthy në punë dhe me i pagu pagat retroaktivisht, i kanë thënë Ministrisë së Arsimit”, tha Murati.
