Shkup, 28 maj –Prej momentit kur u vërtetua që VLEN do të jetë pjesë e qeverisë së ardhme përçoheshin zëra dezinformues përmes të cilave mundohej që të krijohej një situatë e pa vërtetë që shqiptarët me VLEN-in në qeveri nuk do të jenë të përfaqësuar mjaftueshëm. Por, këto zëra sot marrin fund dhe nuk dëgjohen më sepse ndodhi ajo të cilën krerët e VLEN e kishin premtuar që atyre do tu takojë një nga tre pozitat kryesore në shtet. Shqiptarët vazhdojnë ta kenë të parin e Kuvendit. Kësaj radhe fati ishte i Afrim Gashit që të ulet në karrigen e kryetarit të Kuvendit si përfaqësues i VLEN-it dhe delegues i votës së popullit shqiptarë, shkruan Zhurnal.
VLEN mban premtimin merr një nga tre pozitat kryesore në shtet –
Afrim Gashi tashmë kryetari i Parlamentit të Maqedonisë së Veriut u zgjedh me 76 vota PËR dhe vetëm 6 Vota kundër, nga gjithsej 117 të pranishëm në sallë. Kjo zgjedhje zgjidh edhe dilemën se nëse shqiptarët nuk do të jenë të përfaqësuar denjësisht në këtë legjislaturë. Por, kjo gjë mori fund pasi shqiptarët po vazhdojnë të jenë të përfaqësuar dinjitetshëm edhe me VLEN.
Nga VLEN për këtë gjë patën njoftuar se kanë arritur marrëveshje me VMRO-DPMNE-në që ta propozojnë Afrim Gashin për kryetar të Kuvendit, dhe doli pikërisht ashtu siç informuan dhe premtuan.
“Grupet punuese të VLEN-it, si përfaqësues legjitim i shqiptarëve, dhe VMRO DPMNE-së si fituese e zgjedhjeve, në kuadër të bisedimeve për formimin e qeverisë me sukses e kanë përmbyllur harmonizimin e programeve zgjedhore dhe kanë arritur marrëveshje që për kryetar të Parlamentit të propozohet Afrim Gashi. Ndërkohë njoftojmë opinionin se grupet punuese intensivisht vazhdojnë negociatat për eshalonin e dytë dhe të tretë. Shumë shpejt si shtet do të kemi një qeveri evropiane, e përkushtuar për rritje ekonomike, investime dhe përmirësim të standardit jetësor të qytetarëve”, thonë nga VLEN.
Asgjë më shumë e asgjë më pak nga kjo që është thënë tani është realitet dhe gjë e kryer. Kështu, me këtë veprim e vendim të sotshëm shqiptarëve u kthehet shpresa e besimi se gjërat dalngadalë po vijnë në binar aty ku duhej të ishin shumë më parë.
Kryetari i Kuvendit shqiptar, Afrim Gashi, nuk u votua nga të gjithë shqiptarët –
Nuk është hera e parë që zgjedhet një shqiptarë dhe nuk votohet nga të gjithë shqiptarët e pranishëm në sallë. Por, kësaj here është e çuditshme pasi pikërisht ata të cilët nxjerrnin një kohë “lotë krokodili” se shqiptarët nuk po e votojnë një shqiptarë, sot e lëshuan bajrakun dhe ikën nga Kuvendi në momentin që pritej të votohej Gashi për në krye të Kuvendit.
Rijad Shaqiri nga VLEN tha se Fronti Europian e ka obligim moral që ta përkrah Afrim Gashin për kryetar të Kuvendit pasi siç tha, ata kanë përkrahur Talat Xhaferin pasi në të dyja rastet bëhet fjalë për kandidat shqiptar.
“Për vetë faktin se bëhej për një kandidat shqiptar Aleanca për Shqiptarët atë kohë e mbështeti Talat Xhaferin për kryetar Kuvendi. Është obligim moral që edhe Fronti Europian ta mbështes Afrim Gashin për kryetar Kuvendi”, tha Shaqiri.
Thirrja e deputetit Shqiri hasi në vesh të shurdhër pasi Gashi nuk u votua nga të gjithë deputetët shqiptarë. Por, kjo nuk e pengoi aspak procesin e zgjedhjes së Gashit për kryetar Kuvendi.
Ndërkaq, nga ana tjetër Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi pas përfundimit të seancës ku u votua si kryetar i ri i Kuvendit, në të cilën seancë u larguan deputetët e Fronti Evropian, tha se tani pas votimit të tij si kryeparlamentar, do të bëj çmos që dora e tij të jetë e shtrirë për të gjithë subjektet politike.
“Nuk do të merrem me kualifikime dhe komente politike të përcaktimeve partiake të ndonjë subjekti. Secili e ka të drejtën e vet të qëndrojë të mos qëndrojë të votojë të kritikojë, unë do ta respektojë të drejtën e secilit. Jam këtu sinqerisht në mënyrën më të kujdesshme që të kujdesem që kuvendi të jetë i hapur për të gjithë dhe të bashkëpunojmë me të gjithë”, ka deklaruar Gashi.
Sidoqoftë, larg folklorizmit me patetizëm pozitat janë simbolike nëse nuk shfrytëzohen për kompetencat për t’i kryer punët me përgjegjësi morale e profesionale. Ajo që mbetet të thuhet pas kësaj dite është fakti që shqiptarët vazhdojnë me VLEN-in në Qeveri e Kuvend në çdo vend të jenë të përfaqësuar ashtu siç duhet dhe siç i ka hije. /Zhurnal.mk