Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha zhvilloi sot një takim me të rinjtë e Forumit Rinor të Partisë Demokratike. Berisha u shpreh para të rinjve se Shqipërisë sot i duhen misionarë dhe se rolin më të rëndësishëm në këtë mision e ka rinia.
Berisha u bëri thirrje të rinjve të jenë fytyra e fushatës dhe premtoi se programi “Shqipëria Madhështore” do të bëjë realitet ëndrrat e tyre, duke ofruar arsim cilësor, punësim dhe mbështetje për jetën dhe biznesin e tyre.
“Shqipërisë sot i duhen misionarë. Në situatën në të cilën ajo ndodhet, atë e shpëtojnë vetëm misionarët. Kështu që, ju siguroj se programi i PD dhe aleatëve do të jetë një program që synon të bëjë realitet ëndrrat tuaja”, tha Berisha.
Berisha shtoi se “ëndrra ‘Shqipëria Madhështore’, projektin më të shkëlqyer e ka në emrin tuaj, në ëndrrat tuaja të ditës (e ka ëndrra dite, ka ëndrra nate), të ditës janë ato për të cilat ne punojmë. Ndaj dhe, një program për të rinjtë, i cili nënkupton shkollim cilësor dhe të drejtë shkollimi për të gjithë të rinjtë shqiptarë. Nënkupton, një përpjekje të shoqërisë për suksesin e të rinjve shqiptarë në jetë, punësimin e tyre, krijimin e familjes, mbështetja e madhe për suksesin e biznesit”.
“Pra, të gjitha këto janë elementë thelbësorë se, Shqipëria nuk mund të jetë kurrë Shqipëri madhështore pa rininë e saj madhështore, pa ëndrrën të bërë realitet të të rinjve të saj”, tha Berisha.

