Shkup, 19 maj – Kryeministri Hristijan Mickoski njoftoi se ishte arritur një marrëveshje partneriteti strategjik me Mbretërinë e Bashkuar, edhe atë në 5 miliardë pound angleze ose rreth 6 miliardë euro. Kjo marrëveshje që konsiderohet një injeksion financiar për Maqedoninë e Veriut, përveç aspektit ekonomik, ka rëndësinë edhe politike. Në këtë mënyrë, pengohet ndikimi i parave nga fonde të ndryshme jashtë perëndimit. Megjithatë, duke parë të kaluarën, me rëndësi të veçantë se si do të menaxhohen dhe ku do të investohen këto para, shkruan “Zhurnal.mk”.
Ku do të përdoren paratë nga investimi i Mbretërisë së Bashkuar!
Është shumë e rëndësishme të qartësohet fillimisht nëse investimet do të realizohen përmes një forme huamarrjeje, e cila do të ketë implikime fiskale, apo nëse ato do të zbatohen përmes partneriteteve publiko-private me kompani britanike. Do të jetë shumë e rëndësishme të qartësohet nga qeveria nëse këto investime përfshijnë ndihmë në formën e një granti të pakthyeshëm, por edhe që institucionet të jenë të gatshme për reforma, duke përmbushur pritjet e qytetarëve.
Investimet në infrastrukturën hekurudhore dhe kujdesin shëndetësor janë projektet e para të mëdha që do të zbatohen me para nga Mbretëria e Bashkuar falë marrëveshjes së arritur midis dy qeverive.
Ekzistojnë dy marrëveshje, njëra është për një partneritet strategjik që përcakton konturet politike të bashkëpunimit, dhe e dyta është një marrëveshje qeveri-qeveri që ofron mbështetje për projekte infrastrukturore, shëndetësi, energji dhe sektorë të tjerë të cenueshëm, për të cilat Britania po vë në dispozicion 5 miliardë paund, dhe Maqedonia e Veriut mund t’i përdorë ato kur të dëshirojë, pra nuk ka afat kohor, shkruan “Zhurnal.mk”.
Cikli i parë i investimeve kap vlerën e rreth 2.3 miliardë eurove. Hekurudha me shpejtësi të lartë në Korridorin 10 nga Tabanovca në Gjevgjeli është projekti i parë i madh që do të zbatohet dhe do të ketë përfitime të mëdha për ekonominë maqedonase. Me një shpejtësi prej 160 km/orë, treni do të kalojë Maqedoninë e Veriut nga kufiri në Gjevgjeli e deri në Tabanoc për një orë e gjysmë.
Do të përdoret rruga ekzistuese, ose thënë ndryshe do të ndiqet rruga nga Tabanoci që kalon pranë Kumanovës, hyn në kryeqytetin Shkup, shkon në stacionin e ri hekurudhor dhe zbret përgjatë lumit Vardar dhe përdor luginën e lumit Vardar, kalon Velesin, Negotinën, Demir Kapinë, Gjevgjelinë dhe del në kufirin me Greqinë.
Ky nuk do të jetë një rindërtim i thjeshtë i hekurudhës në kuptimin e heqjes së shinave të vjetra dhe vendosjes së shinave të reja, por përkundrazi do të jetë një linjë krejtësisht e re me dy korsi.
Me këto para a do të rregullohet kaosi në shëndetësi!
Cikli i parë i përdorimit të parave të siguruara nga Mbretëria e Bashkuar do të përfshijë edhe ndërtimin e një spitali klinik në Shtip, një spitali të ri në Kërçovë, rindërtimin e spitalit në Tetovë, ndërtimin e një fakulteti të ri mjekësor dhe ndërtimin e një konvikti studentor paralelisht me ndërtimin e fakultetit, shkruan “Zhurnal.mk”.
Ajo që është thelbësore për ekonominë vendase është se marrëveshja hap mundësinë që 70 përqind e kompanive vendase të punojnë në projekte infrastrukturore. Me këtë, pritet që motori i ekonomisë – ndërtimi – të bëhet përsëri konkurrues.
Kompanive të Maqedonisë së Veriut do t’u transferohen edhe mallra, në kuptimin që do të vihen në dispozicion makineri që kompanitë tona nuk mund t’i marrin edhe nëse kanë para. Do të vihen në dispozicion inxhinierë të cilët mund të vënë në funksionim sisteme të reja në të cilat kompanitë tona gjithashtu nuk mund të kenë qasje.
Makineritë e para në terren priten në vjeshtë. Plani është që marrëveshja Qeveri-me-Qeveri të nënshkruhet në Londër javën e ardhshme, pas së cilës marrëveshja duhet të ratifikohet nga Qeveria dhe Parlamenti i Maqedonisë, si dhe nga qeveria britanike, pas së cilës marrëveshjet për hekurudhën me shpejtësi të lartë dhe investimet në kujdesin shëndetësor do të nënshkruhen dhe do t’i paraqiten Qeverisë dhe Parlamentit.
Fatkeqësisht, me rastin e tragjedisë në Koçani doli në pah se sistemi i shëndetësisë është në kolaps. Edhe pse në dukje të parë kishte pasyqrim se po menaxhohet mirë kjo krizë, në shesh dolën probleme të shumta. Më shumë se gjysma e pacientëve u transferuan jashtë shtetit, duke i lutur shtetet fqinje dhe aleate që të marrin për mjekim këto pacientë të dëmtuar. Kjo tregoi se sistemi i shëndetësisë ishte i kalbur dhe në një kolaps të vërtetë, ose siç thonë mjekët është në “vdekje klinike”, sepse në gjithë ato spitale e klinika nuk ishim në gjendje të mbajmë pacientët tanë.
Andaj, me paratë e siguruara nga Mbretëria e Bashkuar dhe investimet në shëndetësi, pritet të mbyllet njëherë e përgjithmonë kjo plagë e vjetër e Maqedonisë së Veriut, shkruan “Zhurnal.mk”.
