Shkup, 29 tetor Zhurnal.mk – Në thirrjen për angazhimin e 20 personave të papunë me kualifikime të ulëta në Komunën e Studeniçanit, deri më tani janë paraqitur vetëm rreth 10 kandidatë. Angazhimi parashihet të zgjasë 30 ditë pune, me orar deri në katër orë në ditë dhe kompensim prej 800 denarësh për çdo ditë pune.
Sipas Komunës, në kompensim përfshihen tatimi mbi të ardhurat personale dhe sigurimi në rast aksidenti në punë ose sëmundjeje profesionale. Transporti do të mbulohet nga NKP-ja e Studeniçanit, ndërsa përfituesit e ndihmës sociale do të vazhdojnë ta marrin atë edhe gjatë periudhës së angazhimit.
“Për çdo ditë pune, ata do të përfitojnë kompensim prej 800 denarësh, ku përfshihen tatimi mbi të ardhurat personale dhe sigurimi në rast aksidenti në punë ose sëmundjeje profesionale. Shpenzimet e transportit do të mbulohen nga NKP-ja e Studeniçanit, ndërsa personat që përfitojnë ndihmë sociale do të vazhdojnë ta shfrytëzojnë atë edhe gjatë periudhës së angazhimit. Përzgjedhja dhe kushtet e punës do të rregullohen përmes një marrëveshjeje ndërmjet Komunës së Studeniçanit, Agjencisë së Punësimit dhe personave të përzgjedhur”, thanë nga Komuna e Studeniçanit
Edhe pse thirrja e komunës së Studeniçanit zgjat vetëm edhe nesër dhe përskaj këtyre kushteve, përsëri interesimi për të punuar për 800 denarë në ditë është i ulët. Në pyetjen se sa para i duhet një qytetari të Maqedonisë së Veriut që të shpenzoje për një ditë, ja se si u përgjigjën;
”Më së paku na duhen 1500 denarë për një person. Ja unë erdha në Pazar nga fshati Batincë dhe i mora ca gjëra dhe një xhemper vajzës dhe shkuan 1500 denarë. A mund të ia dalim me të ardhurat? Jo, çfarë të bëjmë me pensionin 20 mijë denarë. ”Pagova edhe internetin e nëse nuk e paguan e ndalin menjëherë e pa internet nuk bën. Dmth 1500 denarë nuk mjaftojnë që ta kalosh një ditë? Jo, jo, nuk mjaftojnë.”tha një qytetar
Më së paku 20 euro me duhen që ta kaloj një ditë. 1200 denarë? Po, pra pa këto 1200 denarë nuk kalohet dita. Jo, nuk ka shanse pasi e sheh se sa shtrenjtë janë gjërat”, tha një qytetar
”Shpenzojmë nga 50 euro pasi gjithçka është shtrenjtë. Çfarë përfshihen në këto 50 euro? Mëngjesin, dreken dhe darkën, gjerat elementare për katër persona, për të gjithë familjen.”tha një qytetar
Ndërkohë, shporta minimale sindikale për muajin tetor ka arritur në 70.358 denarë, që është për 926 denarë më shumë se në shtator. Sipas Lidhjes së Sindikatave, një familjeje katër anëtarëshe i nevojiten rreth 70 mijë denarë në muaj për të mbuluar shpenzimet bazë të jetesës. Çmimet e produkteve bazë vazhdojnë të rëndojnë buxhetin familjar, duke e bërë edhe më të vështirë përballimin e shpenzimeve mujore, veçanërisht për familjet me të ardhura të ulëta.
